Bota

“Prano Kosovën”, media serbe zbulon porosinë e SHBA-së për Vuçiçin


               Publikuar në : 22:39 - 12/10/19 M. S

Pranimi i Kosovës ka qenë kërkesa e drejtpërdrejtë ndaj Beogradit zyrtar, e artikuluar prej të dërguarit të posaçëm të Presidentit të SHBA-ve për bisedimet bilaterale mes dy vendeve ballkanike, Richard Grenell.

Informacioni bëhet i ditur nga e përditshmja serbe “Kurir”, që shton se në takimin e zhvilluar një javë më parë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Grenell ka qenë mjaft i prerë dhe i qartë në kërkesën për avancimin e procesit paqtues mes dy vendeve, përmes pranimit të realitetit se “Kosova është tashmë shtet i pavarur”.

“Biseda mes Vuçiçit dhe Grenelit nuk ishte aspak e lehtë. Ai qartë kërkoi që Serbia të njohë Kosovën. Serbia është në një pozitë shumë të vështirë”, shkruan “Kurir”.

Ndër të tjera, media serbe shkruan se në mbështetje të kërkesës, diplomati amerikan i ka kujtuar kreut të shtetit serb se rreth 100 shtete të botës e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dhe se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndryshojnë qëndrimin e tyre.

Megjithatë, sipas “Kurir”, kjo deklaratë e Grenell është konsideruar si e çuditshme dhe e papranueshme nga ana e Serbisë, pasi është formuluar në formën e ultimatumit.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT