“Porodica”, seriali televiziv mbi Sllobodan Milosheviçin që po përçan serbët

Nga Lucio Palmisano “Linkiesta”

Njëmbëdhjetë vjet pushtet të sintetizuara në vetëm ato 3 ditë. Më 1 prill 2001, Sllobodan Millosheviçi u arrestua nga policia serbe me urdhër të kryeministrit Zoran Gjingjiç, një akt

që ishte shprehje e një fryme tjetër nga qeveria e re e Beogradit e udhëhequr nga Vojislav Koshtunica.

Pas disa ditësh përplasjesh midis mbështetësve të Millosheviçit dhe policisë para shtëpisë së ish-presidentit në lagjen e vipave në Dedinje, ish-presidenti iu dorëzua policisë. Historia e atyre 3 ditëve çmenduri, përplasje, dhe e dorëzimit të një njeriut shumë të diskutueshëm, që befas u bë një e kaluar shumë e rëndë për demokracinë e porsalindur serbe, është pas 20 vitesh subjekt i një filmi televiziv.

Rrjeti shtetëror serb RTS transmetoi më 29 mars episodet e para të “Porodica” (Familja), një mini-serial me 5 episode që përshkruan ditët e fundit të Millosheviçit para arrestimit dhe ekstradimit të tij në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për krimet e ish-Jugosllavisë në Hagë, ku ai do të vdesë si pasojë e një arresti kardiak në vitin 2006 para shpalljes së vendimit përfundimtar.

Kjo çështje ka ndarë edhe një herë shoqërinë dhe politikën serbe, që nuk qëndroi aspak indiferente ndaj rishikimit të ditëve të fundit të njërit prej burrave më të dashur por edhe të urryer sot në Serbi. Megjithatë, seriali ishte realizuar për qëllime të tjera.

“E gjithë jeta politike Millosheviçit, do të kërkonte ndoshta shumë filma dhe seriale, por edhe trajtimin e temave krejtësisht të ndryshme. Por ajo që ndodh në shtëpinë e Millosheviçit në ato 72 orë mund të përfaqësojë gjithçka që kemi përjetuar në 10 vitet e fundit të qeverisjes së tij”-thotë regjisori i filmit Bojan Vuletiç për “Radion Evropa e Lirë”.

Seriali fillon me përgatitjet për arrestimin e Millosheviçit më 30 mars, dhe rrëfen ngjarjet para “Villa Mir” në Beograd, ku familja e ish-presidentit ndodhej me zyrtarët e Partisë Socialiste Serbe (SPS) dhe të majtës jugosllave (JUL), e udhëhequr nga gruaja e ish-udhëheqësit jugosllav, Mirjana Markoviç.

“Para së gjithash ne donim të tregonin sjelljen e tyre brenda asaj shtëpie. Ne nuk merremi drejtpërdrejt me politikën, por pasojat e asaj që po përjetojmë sot, mund të kuptohen shumë qartë nga gjestet e protagonistëve të kohës”- thotë Vuletiç.

Për shkak të debateve të pashmangshme që do të gjeneronte, xhirimet e serialit ishin tepër  sekrete deri në fund, dhe aktorët duhej të nënshkruanin një dokument ku zotoheshin të respektonin klauzolën për ruajtjen e fshehtësisë.

Siç shkruhet që në nisje të çdo episodi, seriali bazohet mbi fakte të vërteta, të dokumentuara nga burimet arkivore dhe dokumentarë, por është e qartë se disa skena interpretohen lirshëm. “Një serial që trajton një ngjarje historike, është i detyruar t’i përmbahet fakteve, në mënyrë që ajo ngjarje të vendoset në kontekst dhe të ketë kuptim. Por ne nuk jemi të detyruar të imitojmë gjithçka.

Unë u përpoqa të luaja rolin e Mirjana Markoviç, gruas së ish-presidentit, duke u përpjekur të shkoj përtej fjalëve të skenarit. Jam përpjekur të luaj rolin e personit që e ndjen se bota e tij po zhduket”- shprehet aktorja e famshme serbe Mirjana Karanoviç.

Të parët që nuk e pëlqyen serialin ishin fëmijët e ish-udhëheqësit jugosllav, Marko dhe Maria Millosheviç, që i dërguan një letër kompanisë kinematografike “Firefly”, duke i kërcënuar me një padi gjyqësore nëse seriali do të vazhdonte që të shfaqej në ekran.

Edhe vetë publiku serb është i ndarë, duke e cilësuar serialin si të mbushur me trillime. “Unë nuk do ta shoh këtë serial, derisa të ketë edhe një film tjetër për atë që ndodhi në vitet 1990”- shkruan një qytetar serb në Twitter. “Porodica” është një gënjeshtër dhe thotë budallaqe që besohen nga idiotët”-shkroi Zoran Zhivkoviç, ish-kryeministër i Serbisë midis viteve 2003-2004.

E vërteta në këtë rast është vetëm një. “Mjerish, shoqëria serbe nuk e ka tejkaluar dhe analizuar kurrë atë që ishte Sllobodan Millosheviç”-thotë eksperti i ISPI për zonën e Ballkanit XhorxhFruskione.

Kosova dhe regjimi gati aparteidial ndaj shqiptarëve në rajon, ndërhyrja në Kroaci dhe Bosnjë, sulmi i NATO-s, arrestimi dhe ekstradimi i Millosheviçit. Për çdo ngjarje të veçantë të atyre viteve, Serbia ka pasur gjithmonë leximin personal të fakteve.

“Fatkeqësisht, ky vizion nacionalist që i interpreton faktet në një mënyrë të shtrembëruar, tenton të dominojë edhe sot. Një nga shembujt është sulmi i NATO-s në vitin 1999, të cilin zyrtarët në Beograd e interpretojnë ende si një përpjekje të imperializmit perëndimor për të pushtuar Serbinë”-thotë Fruskione.

Edhe politika ka diskutuar shumë mbi “Porodica”, pasi shumë nga personazhet në rreshtin e dytë të “oborrit” të ish-presidentit janë tani zyrtarë të nivelit të lartë. Shembulli më i spikatur është ai i Aleksandër Vuçiç, presidenti aktual i Serbisë, dikur Ministër i Informacionit i qeverisë së fundit të Millosheviçit.

Por po aq i rëndësishëm është edhe Ivica Daçiç, ministër i Jashtëm dhe drejtues i Partisë Socialiste Serbe, ish-partia e udhëheqësit Jugosllav. Pikërisht këtij të fundit në veçanti, aleat i qeverisë së Vuçiç, nuk duket t’i ketë pëlqyer ky serial, ndoshta nga frika e një gjykim negativ jo vetëm ndaj Millosheviçit, por edhe vetë partisë së tij.

“Në krahasim me ish-presidentin, që lejonte hapësirë ​​në gazetat kombëtare dhe televizionet lokale, për zërat kryesorë kundër tij, Vuçiç ka arritur të vendosë nën kontrollin e tij shumicën e mediave në vend, me shumë pak përjashtime. Kjo është arsyeja pse mund të thuhet se qeveria e tij është edhe më anti-liberale sesa ajo e Millosheviçit, megjithëse me ndryshime dhe specifika të caktuara”-argumenton Fruskione.

Kjo konfirmohet gjithashtu nga edhe nga organizata ndërkombëtare si “Freedom House”, qëka kohë që e ka zhvendosur Serbinë nga një “demokraci” në një “regjim hibrid”, dhe e krahason lirinë e mediave serbe të njëjtë me atë në Hungari.

“Ndonëse seriali analizon kryesisht njeriun Millosheviç, gjendjen e tij psikologjike para arrestimit, është e sigurt se ‘Porodica’ nuk do ta ndihmojë Serbinë që të ndahet nga një prej të këqijave të saj endemike:nacionalizmin. Është kjo arsyeja pse ky operacion rrezikon të shndërrohet në një ndihmë për narrativën e moderuar të Vuçiçit, që do ta përshkruajë Millosheviçin si një lider që mund të ketë bërë gabime si shumë të tjerë, por që në fund ai i shërbeu interesave të kombit serb”- shton ai.

Në një kontekst të tillë, kundërshtimi është praktikisht zero. “Për momentin, popullariteti i  Vuçiç vlerësohet në rreth 60 për qind, plus 10 për qind të mbështetjes për aleatët e qeverisë. Prandaj, opozita që mbështetet nga rreth 30 për qind, mbetet shumë e përçarë. Për këtë arsye është e kotë të imagjinohet se seriali mund të ndihmojë opozitën”- thekson Fruskione.

Por a mund të lërë gjurmë ky serial në shoqërinë serbe? “Absolutisht, po. ‘Porodica’ mund të jetë një pikënisje e shkëlqyer,nga ku Serbia mund të nisë të ndërtojë një ndjenjë të përbashkët se si ishin ato vite. Të kuptuarit edhe më mirë se çfarë do të thotë çështja e Kosovës, pushtimi i Bosnjës, sulmi i NATO-s, mund t’i ndihmojë të gjithë serbët ta kuptojnë kush ishte vërtet Sllobodan Millosheviç, dhe në këtë mënyrë ta arkivojnë çështjen e tij”-shprehet Fruskione.

burimi: https://www.linkiesta.it/2021/04/serie-tv-milosevic

Përshtatur për Tirana Today