Popullariteti i Vladimir Putin në rënie, Kremlini rrit buxhetin për propagandë

Me popullaritetin e Presidentit Vladimir Putin tashmë në rënie , lajmet për raundin e fundit të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë kanë alarmuar Kremlinin, duke bërë që grupi i tij i ekspertëve, këshilltarëve dhe ideologëve anti-amerikanë të lëshojnë disa përgjigje të mundshme.

Një ekspert sugjeroi publikimin e listës së medieve ruse që “përhapin lajme të rreme”. Ekspertë të ndryshëm ushtarakë propozuan formimin e “batalioneve të informacionit” në hapësirën kibernetike. Në fund të fundit, Kremlini arriti te strategjia e njohur: ndryshimi i perceptimit të Rusisë duke ndarë edhe më shumë para në propagandë, shkruan Daily Beast.

Pasi u njoftuan sanksionet – këtë herë në përgjigje të helmimit të politikanit opozitar Alexei Navalny – qeveria ruse thuhet se po synon të zgjerojë audiencën globale të kanalit televiziv RT të financuar nga Kremlini nga 800 në 900 milion shikues.

Ata duan të rrisin shikueshmërinë në platformat online duke promovuar përmbajtjen në internet të të gjithë flotës së mediave ruse dhe të huaja, përfshirë RT, RIA Novosti dhe radio Sputnik. Për ta arritur këtë, Kremlini ka rritur buxhetin e medias shtetërore në 211 miliardë rubla (rreth 2.8 miliardë dollarë) – një rritje prej 34 miliardë rubla (460 milion dollarë) nga vitet e mëparshme.

“Pa dyshim, ushtarët e informacionit të RT-së do ta përdorin këtë buxhet domethënës në mënyrë efektive për të ndikuar te euro-skeptikët, anti-globalistët dhe kritikët e Washingtonit. Putin beson se nëse Perëndimi e ka Radio Liberty ose BBC, që sponsorizohen nga shteti, Kremlini duhet ta bëjë të njëjtën gjë. Kjo është një fazë e re e Luftës së Ftohtë. Mos e nënvlerësoni ndikimin në rritje të RT-së”, tha një politikan i opozitës në Moskë, Ilya Yashin.

Lexo edhe :   Putin merr dozën e dytë të vaksinës anti-covid në fshehtësi të plotë

Investimet në propagandë brenda vendit, tashmë e kanë kthyer Rusinë në një komb të skeptikëve. Në ditët e para të konfliktit në Ukrainë, 48 për qind e rusëve i thanë Fondacionit të Opinionit Publik se mendojnë që propaganda po dëmton shoqërinë e tyre.