Kreu demokrat Lulzim Basha, edhe sot nuk iu nda deklaratave të dhëna më herët se bandat janë të lidhura me pushtetin.
Duke prezantuar “Platformën për çlirimin e zgjedhjeve”, Basha tha se e nevojshme është për një reformë zgjedhore.
Teksa ka trumbetuar se pushteti po përdor krimin për zgjedhjet, ai u shpreh se ka ardhur koha tek çlirimi i zgjedhjeve nga shitblerja e votës.
Dekriminalizimi dhe Vettingu në politikë, janë pikat bazë të platformës së opozitës. Kjo, për ti dhënë fund ngërçit të krijuar me vjedhjen e votave.
Basha ka theksuar katër pikat kryesore të kësaj platforme, që nisin me dekriminalizimin e procesit zgjedhor, brenda së cilës është pjesë kryesore dhe shumë e rëndësishme është edhe Vettingu në politikë.
“Së dyti, sistemi i masave kundër shitblerjes së votës, e cila është evidentuar si problemi kryesor në raportin e OSBE-ODIHR. Blerja e votës, jo vetëm do të konsiderohet korrupsion zgjedhor, por kërkon një sërë masash që duhet të nisin që në gjenezën e procesit të blerjes së votës. Jo pak javë para, por deri në 12 muaj para zgjedhjeve.
Së treti, financimi i partive, financim shtetëror 100% i fushatës, ndërkohë që kompanitë që financojnë partitë e kandidatët të përjashtohen nga tenderat e koncesionet. Dhe së katërti, përdorimi i teknologjisë në votim, numërim dhe votim biometrik”, tha Basha.