Kryesore

Politika po e ndjell përplasjen civile, a do jemi sërish “mish për top”?

               Publikuar në : 14:22 - 11/06/19 S.N

Tre javë nga 30 qershori, situata politike po degradon frikshëm. PS pritet të shkarkojë brenda kësaj jave presidentin Ilir Meta. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, ai mundet të sfidojë mazhorancën, duke vazhduar të qëndrojë në Presidencë. Rezistenca dhe përplasja, shihen si opsioni i vetëm edhe nga opozita.

Dje Lulzim Basha urdhëroi krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në çdo Bashki. Kuptohet, misioni i saj, do jetë pengimi i zhvillimit të zgjedhjeve më 30 qershor. Nëse kjo dështon, bllokimi i godinave të bashkive të PD, për të mos ia dorëzuar kundërshtarit. Ndërkombëtarët, nuk kanë reaguar ende. Tani më shumë se kurrë, ndërhyrja e tyre është jetike. Duhet të ndalet përshkallëzimi i situatës. Në të kundërt, përplasja civile do të bëhet realitet.

Në vitin 2011, përplasjet disa mujore PD-PS, se kujt i takonte drejtimit i Këshillit të Qarkut në Fier, shkaktoi në një moment plagosjen e 2 personave. Imagjinojeni se çfarë do të ndodhte në 61 bashki. Rama, Meta, Basha dhe Berisha, kanë vendosur të luajnë fortë këtë herë. Ndoshta karriera e tyre rrezikon të ndëpritet befas nga ndonjë vendim gjykate. Ata po luajnë fort për fatet e tyre. Por në fakt po luajnë mbi kokat tona, me fatin e gjithë shqiptarëve.

Sikurse e ka dëshmuar 2 prilli 1991, 1997, 21 janari 2011, në trazirat e shkaktuara nga politika, është derdhur gjithmonë gjaku i shqiptarëve të thjeshtë. Politikanët si gjithmonë e hedhin gurin, dhe më pas e fshehin dorën./ Tirana Today

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT