Nga: Klementin Mile
Në cilat kushte mundësohet demokracia? Filozofi bashkëkohor gjerman Peter Sloterdijk e adreson këtë çështje në një mënyrë shumë origjinale. Së pari, ai nuk e trajton çështjen e demokracisë në terma kantianë, sipas të cilëve kjo formë e jetës politike, pra demokracia, duhet të shihet si nën-produkt i ushtrimit të fuqive të gjykimit nga ana e qytetarëve. Demokracia nuk vjen në mënyrë kaq spontane. Në vend të kësaj, Sloterdijku thotë se kushtet e demokracisë janë efekt i “pushtetit pritës”, çka nënkupton aftësinë për të pritur dhe aftësinë për t’i lënë të tjerët të presin. Për më tepër, demokracia bazohet në aftësinë proto-arkitektonike për të ndërtuar dhoma pritjeje, për të mos përmendur pastaj aftësinë proto-politike për t’i çarmatosur qytetarët. Por si lidhen këto aftësi së bashku për të prodhuar regjimin demokratik?
Polis si klimë artificiale
Polis, qytet-shteti grek ku për herë të parë u praktikua demokracia, në esencë nuk është gjë tjetër veçse një konstrukt artificial i sunduar nga nomos dhe që, në këtë mënyrë, është përgjigja praktike ndaj sfidës së paraqitur nga probabiliteti i ulët që një mori e madhe të huajsh (qytetarët) të bashkëekzistojnë pas mureve të përbashkëta të qytetit. Pra, polis nënkupton natyralizimin e njerëzve të huaj për njëri-tjetrin dhe një klimë të përbashkët. Qyteti grek ishte një lloj serre për njerëzit që pranonin të çrrënjoseshin nga modus vivendi i jetesës së veçuar për t’u “mbjellë” në modus vivendi-n e jetesës së përbashkët. Në themel të saj, kjo bashkëjetesë në polis është një mënyrë shumë artificiale e të jetuarit bashkë. Sepse njerëzit, edhe pse Aristoteli i cilësonte me të drejtë si kafshë politike, nuk janë megjithatë të urbanizuar prej natyre, por duhet të bëhen të tillë.
Në funksion të kësaj nevojitet një planifikim urban fizik dhe psikik. Sidomos ky i dyti ka nevojë për rituale që duhen vendosur për të gjeneruar ose fuqizuar sensin e përbashkësisë së qytetarëve. Të tilla rituale mund të imagjinohen dhe përshtaten sipas kontekstit të vendit. Por, në çdo rast, e rëndësishme është që ato të arrijnë të gjenerojnë një krenari të përbashkët te qytetarët për faktin që polis-i i tyre është i lirë dhe një respekt për veprimet e bukura të megalopsychia-s, pra të një lloj bujarie përmes të cilës disa qytetarë shquhen mbi të tjerët. Kjo krenari dhe ky respekt duhet t’u paraprijnë të gjitha deklaratave të natyrës politike në qytet. Ato ngrenë terrenin e përbashkët parapolitik që mundëson pastaj një forum për debat, parti dhe rivalitet.
Demokracia si instalacion
Po cila është baza atmosferike që e mundëson fillimisht demokracinë në terma hapësinorë? Sfera publike, për të cilën flitet shpesh si me peshë specifike për demokracinë, në fakt nuk është një efekt i mbledhjes së njerëzve, por ajo, fillimisht, duhet ndërtuar si hapësirë e aftë t’i mbajë njerëzit e mbledhur. Agora, pra sheshi ku njerëzit mblidhen për të diskutuar, mund të kuptohet si duhet vetëm si instalacion. Instalacionet, siç na e demonstron arti bashkëkohor, kanë detyrën e zhvillimit të kompromiseve ndërmjet vëzhgimit dhe pjesëmarrjes. Pra, në një instalacion nuk mund të vëzhgosh pa marrë pjesë. Si të thuash, njeriut që kërkon vetëm të vëzhgojë, t’i hedhë një sy gjërave dhe të largohet, i refuzohet kjo mundësi. Kushdo që dëshiron të vëzhgojë, qoftë edhe për pak, duhet të përfshihet, duhet të marrë pjesë. Në këtë mënyrë, instalacioni bën të mundur që përvoja të zhvendoset nga poli i vëzhguesit të painteresuar te poli pjesëmarrësit të përfshirë.
Por përbashkësia, siç nënvizon dhe Platoni, supozon një kompromis midis të paktën dy gjendjeve shpirtërore bazë. Për demokracinë, kjo do të thotë që premisat atmosferike të saj duhet të formohen nga një paralelogram i virtyteve të vëzhguesit me virtytet e pjesëmarrësit. Kështu, qytetari është një kombinim i aktorit dhe spektatorit në një person të vetëm. Gjysma më e vështirë e kësaj sinteze është ajo e vëzhguesit, pasi njerëzit kanë të garantuar vetëm gjysmën e parë, të aktorit, duke patur prej natyre instinkte, pasione dhe interesa. Gjysma vëzhguese e qytetarit nënkupton përdorimin e teknikave kulturore pak a shumë të përpunuara për të na bindur të aktivizojmë inteligjencën tonë analitike dhe teorike, pra për të vëzhguar. Për të realizuar kushtet parapolitike të demokracisë duhet vendosur një lidhje ndërmjet kulturës së polis-it dhe sjelljes teorike.
Nuk ka qenë e rastit që demokracia athinase rezulton të jetë bashkësia e parë e arsimuar në skenën e historisë kulturore. Ndër karakteristikat e saj qe fakti që virtytet e vëzhguesve nuk gjeneroheshin apo fuqizoheshin vetëm nga teatri dioniziak dhe nga arti i retorikës, por edhe nga shpikja e filozofisë, e cila, në terma të domethënies politike, nuk qe gjë tjetër veçse zhvillimi i një logjike universale të bashkëjetesës së njerëzve një një asamble me dy dhoma, ku e para quhej Polis dhe e dyta Physis.
Demokracia si dhomë pritje
Sloterdijk thotë që duhet ta pranojmë idenë se arti i të shkruarit (pra, i krijimit të një rezervuari gjuhësor) është teknika kulturore që ka kontribuar më tepër për shfaqjen e demokracisë. Duke i dhënë fjalës së folur një prani hapësinore, shkrimi e detyron edhe gjënë më të ikshme të rrijë pak më gjatë se sa do të qe e mundur në një botë tërësisht orale. Arti i polis-it dhe res publica mbështetet te shkrimi, te kjo mënyrë e kapjes së objekteve. Kështu shfaqen dhe rrinë më gjatë gjëra themelore për polis-in si opinionet politike dhe teoremat e studiesve. Demokracia, pra, paraprihet nga një dimension parapolitik në të cilin bëhen të disponueshme mjetet për të ngadalësuar rrjedhën e të folurit. Themelisht, filozofia dhe demokracia kanë burimin e tyre të përbashkët në të njëjtat teknika për ta ngadalësuar gjuhën, përmes të cilave, objekte teorike dhe politike mjaftueshmërisht të qëndrueshme fillimimisht mund të lindin dhe pastaj të përdoren për qëllime publike.
Demokracia varet nga aftësia për t’u dhënë dimension hapësinor gjërave që thuhen njëra pas tjetrës; pra, ajo implikon trajnimin e vazhdueshëm në durim. Shpikja e listës së folësve është një mekanizëm i thjeshtë, por shumë i rëndësishëm për demokracinë. Lista nënkupton që audienca është e aftë t’i konsiderojë njëlloj fjalimet, pavarësisht radhës kur mbahen ato. Lista mundëson peshimin e objekteve politike të kundërta, siç janë opinionet ose propozimet. Madje edhe sot, kryengritjet populiste dhe fashiste mund të dallohen shpesh nga fakti që ato fillojnë me një revoltë kundër listës së folësve.
Paaftësia për të dëgjuar është tipikisht anti-demokratike. Sloterdijku tregon një anekdotë ku negociatori athinas shkon në kampin spartan gjatë luftës ndërmjet dy qytet-shteteve. Në përgjigje të peticionit retorikisht mjeshtëror të athinasit, liderët spartanë thanë: Ne nuk mund t’i përgjigjemi fjalimit tënd të gjatë, sepse tani, në fund të tij, e kemi harruar çfarë the në fillim. /Gazeta Liberale