E shtunë, 18 Shtator, 2021
21.5 C
Tirana

Po reformës në drejtësi, po qeverisë tranzitore e reformës politike

Nga: Ervis Iljazaj

I gjithë debati për aktin ekstrem të opozitës, atë të lënies së mandateve parlamentare dhe kërkesës për qeveri tranzitore, është qartësisht i orientuar në mënyrë të gabuar. Të gjitha qëndrimet pro dhe kundër këtij akti orientohen në bazë të një llogoreje partiake, që ndërtimin ose jo të një qeverie tranzitore e shohin si interes të opozitës apo të mazhorancës, në varësi të qëndrimit.

Ndërkohë që, shumë pak herë gjatë gjithë kësaj kohe kemi dëgjuar një diskutim nëse një qeveri tranzitore i shërben interesit publik shqiptar apo jo, përtej çdo tifozerie partiake.

Prandaj, dy janë pyetjet që duhen ngritur në këtë rast. E para, cilat janë domosdoshmëritë e Shqipërisë në këto momente? Dhe e dyta, a ndihmon qeveria tranzitore realizimin e tyre, apo i pengon ato?

Sfidat më të mëdha që ka përpara Shqipëria janë çelja e negociatave, ecuria e reformës në drejtësi, depolitizimi i shtetit dhe mbi të gjitha, zhvillimi më në fund i zgjedhjeve të pakontestuara dhe të ndershme, duke i dhënë fund absurditetit pothuajse 30-vjeçar shqiptar, ku ende nuk arrijmë të zhvillojmë zgjedhje plotësisht të lira dhe të ndershme si asnjë vend tjetër, të paktën në Europë.

Prandaj, qasja që duhet të kemi ndaj krijimit të një qeverie tranzitore ose jo, është pikërisht qasja ndaj interesit publik lidhur me nevojat urgjente që ka vendi ynë. Në këtë kuptim, qeveria tranzitore vetëm sa do të ndihmonte zgjidhjen e tyre.

Për shembull, ecuria e reformës në drejtësi, nëse do të kishim një qeveri tranzitore, do të bënte që ajo të zbatohej pa presionin e një qeverie politike, e cila me siguri që tenton të ndikojë në formimin e organeve të reja, pavarësisht nëse ia ka dalë ta bëjë këtë apo jo. E megjithatë, për të pasur drejtësinë që kaq shumë kemi pritur, sigurisht që është më mirë që të vazhdojë ecurinë e saj pa presione të tilla.

Po ashtu çelja e negociatave, e cila me shumë mundësi nuk do të ndodhë edhe kësaj here duke parë klimën politike në vend, kërkon një marrëveshje të gjerë politike dhe një klimë totalisht të ndryshme nga kjo që kemi sot. Ndërsa, për sa u përket zgjedhjeve të lira, është e kotë të thuash vetëm nëse kemi një depolitizim të shtetit, që në Shqipëri mund të realizohet vetëm nëpërmjet një qeverie tranzitore, larg çdo tentative politike për ta uzurpuar atë siç ka ndodhur gjatë gjithë tranzicionit shqiptar.

Partia Demokratike, të njëjtin pretendim ka pasur edhe përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, ose gjatë kohës së famshme të “çadrës”. Por situata e atëhershme ishte totalisht e ndryshme. Parlamenti i atëhershëm ishte një parlament i dalë në mënyrë të pakontestuar. Në atë kohë ishin duke aprovuar ligjet organike të reformës në drejtësi, ku Partia Demokratike, në mënyrë të gabuar, qëndroi jashtë tyre. Gjithashtu, kërkesat e PD-së ishin kërkesa të bazuara në një “krim” të presupozuar. Dhe, mbi të gjitha, qeveria teknike që kërkonte PD nuk e zgjidhte problemin me themel, ashtu sikurse faktet e treguan. Kështu që qeveria tranzitore, momenti politik dhe interesi publik i sotshëm, janë kontekste të ndryshme krahasuar me momentin para zgjedhjeve të 2017-s.

Prandaj, qeveria tranzitore le të shërbejë si një moment për të realizuar pesë reforma bazë, pa të cilat do të jemi gjithmonë në ngërç politik, ekonomik dhe shoqëror. Deri më tani kemi pasur një shtet qartësisht të politizuar. Ndoshta ka ardhur momenti që politika të rrijë larg tij për një kohë të caktuar për ta teknikalizuar atë.

Reforma në drejtësi dhe qeveria tranzitore janë termat më të përdorur dhe diskutuar të kohëve të fundit në opinionin publik shqiptar. Ndërsa reforma politike vjen si pasojë e realizmit të dy të parave. Ndoshta, dy të parat pengohen pikërisht për të evituar pasojën e madhe që ato sjellin, atë të ndryshimit dhe reformimit të politikës. Që të tria janë një domosdoshmëri, madje jetike për shoqërinë dhe politikën shqiptare, nëse vërtet besojmë se një ditë tranzicionit do t’i vijë fundi.

Problemi kryesor në qasjen që ka politika, por edhe opinioni publik në përgjithësi ndaj këtyre fenomeneve, është pikërisht fakti se i trajton dhe i propagandon në mënyrë të veçuara nga njëra-tjetra, herë nga njëra palë dhe herë nga tjetra, në varësi të interesit politik të tyre.

Mirëpo, që të tria, jo vetëm që duhen trajtuar si fenomene që shkojnë paralelisht me njëra-tjetrën, por janë ngushtësisht të lidhura dhe plotësisht të realizueshme. Në fakt, vetëm nëse realizohen të tria bashkë mund të arrijnë një rezultat të dëshirueshëm. Nëse trajtohen të ndara nga njëra-tjetra ato vetëm sa pengojnë zbatueshmërinë e tyre. Në këtë mënyrë ato do t’i shërbenin interesit publik, dhe jo interesit të një pale politike, të cilat ia servirin opinionit publik thjesht si kalë beteje në mënyrë krejtësisht të gënjeshtërt./ Gazeta Liberale

 

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Betohen në Presidencë, Qeveria nis zyrtarisht mandatin e tretë

Pas betimit te presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit të ri qeveritar vendosën të ecnin në këmbë përgjatë Bulevardit Dëshmorët...

Betimi i kabinetit qeveritar/Rama dhe ministrat betohen para Metës

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur pak çaste më parë në Presidencë, ku bashkë me anëtarët e kabinetit qeveritar do të betohet para kreut të...

Miliarderi amerikan shpallet fajtor për vrasje

Trashëgimtari amerikan i pasurive të paluajtshme Robert Durst, subjekt i dokumentarit të krimit HBO The Jinx, është dënuar për vrasjen e mikes së tij...

Kurti lë pas inatet me Ramën dhe e uron për mandatin e tretë

Dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar një letër të hapur homologut të tij shqiptar, Edi Rama, duke e uruar për mandatin...

Meta merr në mbrojtje Berishën, akuzon Kim se po shkel sovranitetin e vendit

Pas një periudhe të gjatë heshtje, një ditë më parë kreu i shtetit, Ilir Meta, u prononcua për mediat duke u rreshtuar krah aleatit...