“Po përpiqet të shmangë koronavirusin”, ja çfarë thotë ministri për Kim Jong-un

Ministri i Koresë së Jugut për çështjet e Koresë së Veriut, Kim Yeon-chul është shprehur se qeveria e di se ku ndodhet lideri Kim Jong-un.

Ai tha se lideri korean mund të ketë humbur një festë kryesore në 15 Prill, për shkak të shqetësimeve për koronavirusin por jo se ndodhet i sëmurë.

Kim Jon-un mungoi në një nga ceremonitë publike në përvjetorin e lindjes së gjyshit të tij dhe themeluesit të vendit, Kim Il Sung. Që nga ajo kohë ai nuk është parë më, duke çuar në spekulime të ndryshme në lidhje me shëndetin e tij.

“Është e vërtetë se ai kurrë nuk e kishte humbur përvjetorin për ditëlindjen e Kim Il Sung që kur mori pushtetin, por shumë ngjarje përvjetori, duke përfshirë festime dhe një banket, ishin anuluar për shkak të shqetësimeve të koronavirusit”, tha Kim Yeon-chul në një seancë parlamentare.

Zyrtarët e Koresë së Jugut theksojnë se ata nuk kanë zbuluar asnjë lëvizje të pazakontë në Korenë e Veriut dhe kanë paralajmëruar kundër raporteve se Kim mund të jetë i sëmurë.

Deri më sot Koreja e Veriut nuk ka konfirmuar asnjë raste me COVID-19, por vendi ka ndërmarrë hapa të rreptë për të izoluar një shpërthim të mundshëm.