Vijon protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit, ku kërkojnë me vendosmëri plotësimin e 8 kërkesave, duke refuzuar çdo negociatë dhe bisedim të mundshëm me ministren Nikolla, apo kryeministrin Rama.
Me pankarta në duar dhe me thirrje kundër sistemit, studentët kanë kërcënuar me rënie të ministrisë në rast se nuk bien tarifat e shkollimit.
“Do dalim në rrugë me qindra me mijëra, po nuk ranë tarifat do bjerë ministria.
Larg politika, larg parlamenti, është dhjetor studenti.
Lindita Nikolla ti je ngelëse. Lindita Nikolla dil në bulevard, shkolla është e jona jo biznes privat.
Lindita Nikolla mos dil nga ministria, sot erdhën studentët nuk erdhi ushtria”, kanë qenë disa nga thirrjet e studentëve.
Po ashtu, studentët kanë kërkuar që Nikolla të mbajë premtimin e dhënë lidhur me reformën e re në arsim. Kujtojmë se Nikolla pati deklaruar se do të jepte dorëheqjen në rast së reforma e arsimit dështonte.
Kërkesat e para të studentëve
1. Anulimi i pikës 4 të vendimit nr. 288 të majit të 2018 për tarifat për kreditet për lëndët e mbartura (Pika e 4 e vendimit u shfuqizua nga qeveria)
2. Përgjysmimi i tarifës së studimit. (grup pune për të negociuar)
3. Përmirësimi i kushteve të konvikteve. (grup pune për të negociuar)
4. Bordi i Administrimit të ketë numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrise së Arsimit, duke shtuar një përfaqësues nga studentët në bord. (grup pune për të negociuar)
Tetë kërkesat e Këshillit Studentor që iu dërguan ministres Nikolla
Përgjysmim i tarifës së studimit
Rritje në 50% e votës për zgjedhjen e dekanëve e rektorëve
Në bordin e administrimit të shtohet përfaqësi e studentëve
Mbështetja e studentëve për kërkime shkencore
Mbështetja e studentëve të doktoraturës me fonde
Përmirësim i kushteve të konvikteve
Dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë
Pajisja e studentëve me kartë studenti brenda vitit 2018-19