Kryetari i Partisë Deomkratike, Lulzim Basha ka zhvilluar fushatën e tij elektorale me praninë e shumë njerëzve, megjithëse thotë se i ka respektuar masat anti-covid.
I ftuar në emisionin ”Real Story”, Basha tha se i vetmi që nuk shqetësohet për pandeminë është kryeministri Edi Rama.
Basha debatoi me analistin Skënder Minxhozi, i cili tha se po rrezikon jetën e qytetarëve duke grumbulluar shumë persona gjatë takimeve elektorale.
Por, kryedemokrati nuk ishte dakord me konstatimin e tij, duke i thënë se së pari duhet të shihen urbanët dhe kafenetë.
Pjesë nga biseda
Skënder Minxhozi: Nëse unë sëmurem gjatë takimit me Covid, çfarë më thoni ju? Kërkoni vota në këmbim të infektimeve?
Lulzim Basha: Jo, takimet e mia janë të planifikuara anti-Covid.
Skënder Minxhozi: Aty vetëm anti s’ka, Covid po.
Lulzim Basha: Problemi më i madh i Shqipërisë është se duan ndryshimin, duan ta largojnë një orë e më parë Edi Ramën. Nuk e kam fjalën vetëm për demokratët, por edhe për socialistët, që vijojnë të shërbejnë akoma, dhe që duan ndryshimin. Kriza në të cilën është futur vendi këto 8 vite i ka bërë njerëzit të mos durojnë më. Në të gjitha aktivitetet që planifikojmë, ne respektojmë me rigorozitet masat anti-Covid.
Nëse Rama do ta kishte shqetësim Covid-in, dil e shiko urbanet, kafet. Nuk është shqetësim i Ramës Covid-i. Shqetësimi i Ramës është të zhvendosë vëmendjen. Rama ka kthyer në lajtmotiv të fushatës së tij sulmet ndaj opozitës. Përgjigja ime është dhe mbetet e njëjta, ne marrim të gjitha masat, unë iu bëj thirrje mbështetësve të respektojnë masat, e shkurtoj masivisht kohën e kontaktit me ta.