Kryesore

Piktura, talenti i parë i Hitlerit, ja pse dështoi ankandi në Nuremberg

               Publikuar në : 20:43 - 10/02/19 Enno

CNN – Pesë piktura, me autor të supozuar Adolf  Hitlerin, nuk arritën të shiten të shtunën (9 shkurt 2019) në një ankand të diskutueshëm në qytetin gjerman të Nurembergut – vendndodhja e disa tubimeve të mëdha naziste gjatë viteve 1930.

Pikturat me bojëra uji, si dhe një karrige me shenjën e kryqit të thyer nazist, që besohet se ishte në pronësi të diktatorit, ishin ndër artikujt në shitje në një ankand të kritikuar nga disa nga politikanët dhe qytetarët e Nurembergut.

Gjithsesi asnjë nga punimet nuk justifikoi çmimet e larta të nisjes së ankandit, raportoi AFP, kjo sepse u ngritën dyshime për origjinalitetin.

Ndër pikturat me bojëra uji, ajo që paraqiste një liqen malor, nisi me një çmim fillestar prej 51,000 dollarësh. Sipas punonjësve të shtëpisë së ankandit, koleksioni vinte nga “pronësi private austriake ose evropiane”, nga fondet e koleksionistëve dhe nga trashëgimtarët.

Në Gjermani është e paligjshme të ekspozosh në publik simbole naziste, me përjashtim të disa konteksteve arsimore ose historike. Prandaj, shtëpia e ankandit ishte e detyruar të zbuste shenjat naziste dhe simbolet në broshurën e shpërndarë me këtë rast.

Gjithsesi shitja ndezi zemërimin e politikanëve dhe publikut me Ulrich Maly, kryebashkiakun e Nurembergut. Në gazetën Sueddeutsche Zeitung ai u akuzua për sjellje të “shijes së keqe”.

Shtëpia e ankandit u detyrua gjithashtu të heqë 26 vepra arti nga broshura e saj për shkak të autenticitetit. “Për fat të keq, ne duhet t’ju informojmë se disa nga fotot janë hequr për shkak të një shqyrtimi”, tha shtëpia e ankandit në një deklaratë dërguar gazetës gjermane Spiegel.

Kjo ndodhi pak pasi prokurorët konfiskuan 63 vepra arti që mbanin nënshkrimin “A. Hitler” ose “A.H.” gjatë ditës së mërkurë në pronësi të shtëpisë së ankandeve Weidler.

Antje Gabriels-Gorsolke, zëdhënëse e departamentit të prokurorisë së Nuremberg – Fuerth, i tha agjencisë “France – Presse” se ata kishin hapur një hetim për disa individë “me dyshimin për falsifikimin e dokumenteve dhe përpjekje për mashtrim”.

“Nëse pikturat do dalin se janë të rreme, atëherë ne do të përpiqemi të përcaktojmë se kush kishte dijeni për këtë në zinxhirin e pronësisë”, tha ajo.

Stephen Klingen dhe Christian Fuhrmeister nga Instituti Qendror për Historinë e Artit në Munih, i thanë CNN se njerëzit janë “të shqetësuar me të drejtë” për ankandin. “Ne po negociojmë të kaluarën, në këtë rast kujtimin e Gjermanisë dhe kujtimin nazist, që mishërohet te Adolf Hitler”, thanë ata.

“Diçka që ka qenë tabu në të kaluarën, tani merr tjetër vlerë – ka koleksionistë që duan t’i blejnë këto objekte”.

Klingen dhe Fuhrmeister, megjithatë, thanë se ankandet e ngjashëm duket të vijojnë pavarësisht kritikave të përhapura. “Është një diskutim i domosdoshëm për të rivlerësuar mënyrën se si Gjermania kthen vështrimin në të kaluarën naziste”, thanë ata.

“Është një çështje etike dhe morale – besoj se çdo demokraci moderne duhet të jetë në gjendje ta përballojë këtë.”

Ata shtuan se do të dëshironin të shihnin më tepër diskutime të hapura rreth historisë së Hitlerit dhe nazistëve, në vend që kjo të bëhej sërish tabu.

Shtëpia e ankandit Weidler e përshkroi ngjarjen si “shitje të posaçme” në broshurën e saj dhe tha se koleksioni i punimeve përfshin “piktura dhe orendi të rralla”. Shtëpia e ankandit nuk i’u përgjigj një kërkese të CNN për një koment.

Hitleri ishte një artist aspirant në vitet e tij të hershme, i cili u refuzua dy herë nga Akademia e Arteve të Bukura në Vjenë. Ai fitonte të holla duke shitur piktura me bojëra uji në stilin e kartolinave postare për çiftet e sapomartuar para se të hynte në ushtrinë gjermane në prag të Luftës së Parë Botërore.

Klingen përshkroi aftësitë artistike të Hitlerit si “amator i moderuar dhe ambicioz” dhe vuri në dukje se punimet e tij ishin të krahasueshme me “qindra mijëra” të tjerëve nga kjo periudhë.

Në vitet e fundit, shtëpia e ankandit Weidler, ka shitur një numër tablosh të supozuara si të Hitlerit, më e shtrenjta prej të cilave kapi shifrën 147,000 dollarë, në vitin 2014.

Përktheu dhe përshtati TIRANA TODAY

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT