Përplasja e Metës me policinë bën ‘bujë’ në Serbi, ja çfarë shkruajnë mediat

Përplasja e Presidentit të Republikës, Ilir Meta me efektivët e Policisë Bashkiake paraditen e sotme, në zyrat e partisë Fryma e Re Demokratike, është pasqyruar edhe në mediat e huaja.

Konkretisht, media serbe Novosti.rs, shkruan se kjo përplasje ka ardhur si pasojë e konfliktit të vazhdueshëm mes Presidentit Meta dhe kryeministrit Edi Rama.

Sipas medias serbe, Meta ka akuzuar agjencitë e zbatimit të ligjit se punonin ekskluzivisht në interes të Kryeministrit Edi Rama.

“KAOSI I PËRGJITHSHËM NË SHQIPRI: Presidenti Meta u përplas me policinë, duke arritur kulmin në një përplasje me Kryeministrin Rama. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u përplas me policinë, e cila u përpoq me forcë të hynte në ambientet e partisë Fryma e Re Demokratike, duke akuzuar agjencitë e zbatimit të ligjit se punonin ekskluzivisht në interes të Kryeministrit Edi Rama. Meta vuri në dukje se ai e konsideron përpjekjen e policisë shqiptare për të hyrë në mjediset e partisë si një grusht shteti. Zgjedhjet e përgjithshme të Shqipërisë do të mbahen në 25 Prill,”– shkruan media serbe.

Mesditën e sotme pati një përplasje midis policisë bashkiake dhe zyrtarëve të partisë Fryma e Re Demokratike. Shkak u bë një dërgimi i një letre nga bashkia Tiranë e cila njoftonte FRD se duhet të boshatiste zyrat.

Sipas bashkisë, godina është e amortizuar dhe se FRD nuk është pronare e godinës. Në këtë përplasje u përfshi dhe Presidenti Meta.

Sipas kreut të FRD, Saili Shehu, këto veprime janë goditje politike për shkak të vendimit për të firmosur koalicion me opozitën e bashkuar, akt ky që largoi themeluesin Bamir Topi nga kjo parti.