Spanja ka shënuar një rënie të ndjeshme të numrit të viktimave, në krahasim me ditët e mëparshme. Vendi duket ta ketë kaluar tashmë pikun e koronavirusit, por numri i vdekjeve ditore vijon të jetë i lartë.
Sipas mediave vendase, në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 410 njerëz, 227 persona më pak se një ditë më parë ku u shënuan 637 vdekje.
Ndërkohë janë regjistruar edhe 1,528 raste të reja, një rënie e ndjeshme edhe kjo pasi dje regjistronte 3,577 raste, e një ditë më para kësaj 5,891 raste.
Ministri i Shëndetësisë i Spanjës, Salvador Illa, tha se të dhënat e fundit konfirmojnë se Spanja ka kapërcyer pjesën më të vështirë të krizës.
“Ne kemi arritur kulmin dhe qëllimi këtë javë është të arrijmë në fazën tjetër”, tha ai.
Testimi do të luajë një rol të madh në kontrollimin e sëmundjes dhe qeveria së shpejti do të fillojë një studim epidemiologjik, duke marrë mostra nga 62.400 njerëz në të gjithë vendin, në përpjekje për të përcaktuar shtrirjen e infeksionit.
Spanja renditet e dyta (pas SHBA-ve) për numrin më të madh të personave të infektuar nga COVID-19, plot 195,944 raste.
Ndërkohë renditet e treta për numrin më të madh të vdekjeve (20,639), pas SHBA-ve (39,015) dhe Italisë (23,227).
Më shumë se 2,3 milionë njerëz nga e gjithë bota janë prekur nga koronavirusi, ndërsa mbi 161 mijë persona kanë humbur jetën.