Situata në Shqipëri po përkeqësohet si pasojë e pandemisë, teksa numri i të infektuarve në vend rritet dita-ditës.
Shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino së fundmi tregoi nga se po shkaktohet përhapja e infeksionit.
Sipas saj, përhapja e infeksionit dhe rritja e të prekurve në këtë periudhë po shkaktohet nga festat dhe grumbullimet e të rinjve në plazhe, nga dasmat dhe ceremonitë mortore, të cilat po zhvillohen ende si më parë.
Gjithashtu përfaqësuesja e komitetit teknik denoncoi publikisht thyerjen e karantinës nga personat e infektuar.
Bino i kërkon policisë dhe strukturave vendore të punojnë për të identifikuar dhe ndëshkuar të infektuarit që dalin nga izolimi. Kjo sjellje sipas saj po dëmton punën e deritanishme të mjekëve dhe epidemiologëve në terren.
“Tirana vijon të jetë vatra e infeksionit të Covid-19, por këtë periudhë raste të shtuara ka Durrësi për shkak të ardhjes së pushuesve nga Kosova, mes tyre dhe të infektuar, si dhe Korça, ku edhe aty është vërejtur hyrje e virusit nga jashtë. Edhe pse janë raste të importuara ato raportohen dhe llogariten në shifrat zyrtare të Shqipërisë”, u shpreh ajo për “A2”.
Aktualisht shifrat zyrtare flasin për mbi 3500 të sëmurë aktivë në të gjithë vendin.