Përçarje në PS pas 25 prillit? Xhaçka tregon se çfarë pritet të ndodhë

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka folur për listat e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit si dhe për kandidimin e saj si deputete në Qarkun e Korçës.

E ftuar në emisionin Real Story” Xhaçka ka thënë se zhvendosja e saj në Korçë nga qarku i Dibrës ku ishte më parë, nuk është bërë e imponuar as nga kryeministri Edi Rama, dhe as nga mospranimi i saj nga strukturat vendore të PS në Dibër.

Sipas saj, u ra dakord që të ishte në këtë qark për të mirë të partisë në këtë proces zgjedhor.

Olta Xhaçka: “Kjo nuk është një garë maxhoritare, por proporcionale. Një garë që funksionon me një ekip. Duke marrë maksimumin si ekip, fusim më shumë përfaqësues në Parlament. Unë mendoj se do të sjellë zhvillime dhe do të vendosë një standard të ri për mënyrën si propozohen kandidatët për deputetë, mbështeten ata. Nuk e shoh si përçarje, sepse ky nuk është një proces ku vendos kryeministri. Është një proces kolegjial diskutimesh të pafundme se kush janë njerëzit që gëzojnë respekt në komunitetin e tyre, kanë më shumë ndikim. Janë drejtuesit e qarqeve që bëjnë propozimet e të gjithë përfaqësuesve të qarkut, që meritojnë të jenë në atë listë”.