Futboll

Përcaktohen gjysmëfinalet/ Liverpool shkatërron Porton. Dramë në “Etihad”, kalonTottenham

               Publikuar në : 23:05 - 17/04/19 Enno

Operacioni doli me sukses, por pacienti vdiq. Në këtë mënyrë mund të përshkruhet ndeshja e bërë nga Manchester City sot kundër Tottenham në çerekfinalen e kthimit të Champions League. Skuadra e Pep Guardiola ka fituar 4-3 ndeshjen e çmendur të luajtur në “Etihad Stadium”, por Tottenham është kualifikuar në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 4-4.

Çmenduria ka filluar në minutën e 4-t me Sterling që ka kaluar në avantazh vendasit me një gol magjik, por festa e “Citizens” ka zgjatur shumë pak, sepse Son që shënuar dy gola të shpejtë nw minutwn e 7-tw dhe tw 10-tw. Një minutë më vonë ka ardhur barazimi i ekipit të Pep me Bernardo Silva-n, i ndihmuar nga një devijim i Rose.

Në të 21-ën, City është kthyer në avantazh me Sterling dhe ka realizuar të katërtin me Aguero-n në minutën e 59-të. Gjithsesi, Spurs nuk janë dorëzuar dhe në minutën e 73-të kanë gjetur golin e tretë me Llorente-n, për të cilin është dashur ndërhyrja e VAR për të kuptuar nëse spanjolli kishte shënuar me dorë apo kofshë. Arbitri Cakir ka zgjedhur të dytën dhe e ka quajtur të vlefshëm.

Vendasit janë hedhur në sulm në minutat e mbetura për të gjetur golin e pestë dhe të kualifikimit, duke e gjetur në kohën shtesë me Sterling, por që është anuluar për pozicion jashtë loje nga VAR.

Feston Tottenham, që në gjysmëfinale do të përballet me Ajax-in, një tjetër skuadër që nuk pritej të ishte mes katër më të mirave të Europës në fillimin e sezonit.

Liverpool nuk ka hasur vështirësi të mëdha në ndeshjen e kthimit ndaj Portos në “Dragao-n” e famshëm. Anglezët kanë fituar 4-1 ndaj portugezëve dhe kalojnë në gjysmëfinalen e Champions League, aty ku e pret Barcelona gati për një sfidë të paharrueshme.

Ishte Sadio Mane ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 26’ duke u shuar shpresat tifozëve vendas. Pas pushimit erdhi goli i Mohamed Salah në minutën e 65’. Ajo ishte goditja e dytë në kuadrat për miqtë, pra saktësia 100%. Militao shënoi golin e nderit përpara se Firmino dhe Van Dijk të thellonin rezultatin në favor të The Reds.

Një fitore e merituar dhe, siç pritej, e lehtë për Liverpool. Megjithatë, tani vjen prova e madhe pasi në gjysmëfinale i pret Barça.

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT