Editorial - Opinione

Për Baxhakun dhe historinë e Gazetarisë

               Publikuar në : 20:29 - 16/08/19 M. S

Nga: Alfred Lela

Fatos Baxhakun e kam takuar në një kohë kur gazetaria ishte diçka serioze, me rëndësi; një apasionatë. Ai ishte pedagogu, unë studenti i Gazetarisë. E çmonim Baxhakun ne të brezit tim, për reportazhet që botonte te Gazeta Shqiptare, asokohe me redaksi në rrugën e Dibrës, në një vilë ende të hijeshisë së dikurshme. Reportazhi ishte një gjini e vështirë, në mos më e vështira për ne njomështakët e Gazetarisë. Po të shkruaje reportazhe të mira do të thoshte se ishe gazetar i mirë. Kaq e thjeshtë për ne asokohe.

Fakti që gazetari më i mirë i reportazheve në Shqipëri, sipas nesh, do të ishte edhe mësuesi ynë në fakultet e bënte të dyfishtë njohjen: të gjinisë gazetareske dhe të njeriut pas tij.

Nën këtë aurë erdhi Baxhaku ditën e parë në fakultetin tonë në rrugën e Elbasanit. Ishin kohë kur gazetarët nuk njiheshin nga televizioni, por nga emri. Për Baxhakun mund të thuhet se ai iku i tillë: ateleviziv, por i njohur nga emri dhe jo nga fytyra. Është përmbysur gjithçka, siç përmbyset toka për të marrë me vete ata që ndërrojnë jetë.

Erdhi ai. Mustaqet e verdheme dhe në buzë gjithmonë një cigare të ndezur. Flokët e gjatë dhe të dredhur, të butë ashtu si dhe zërin e manierat. Gazetarët e njohur kanë qenë dhe janë tekanjozë, apo ‘pordhacë’ për të përdorur një fjalë të zhargonit. Asgjë e tillë te Baxhaku.

Na pyeti të gjithëve se nga vinim, me radhë. Ishim ulur për një kafe pas mësimit në një nga baret e shumtë që popullonin si koloni kodrinën përballë Filoqylit. Ai mori konjak. Një tjetër shenjë e tij, pas duhanit dhe reportazheve. Ndër veti, me shokët e kursit, thonim se gazetarët mirë, të gjithë, pinë duhan e alkool. Ose duhet të pinë, përfundonim.

“Unë e kam babën nga Elbasani dhe nënën nga Shkodra. I bie që të jem nga Fushë-Kruja”, tha ai me shaka duke përdorur të mesmen gjeografike të dy prindërve.

Kjo përshtyje butësie dhe humanzimi e ka shoqëruar emrin dhe imazhin e Fatos Baxhakut, te unë dhe te shumë studentë dhe kolegë të tij. Një student dhe profesionit i Historisë që u bë student dhe mësues i Gazetarisë, te Baxhaku dukej se Historia, me përvojat dhe rëndesat, kishte përcaktuar njeriun ose predispozitën e tij për jetën. Kush di nga historia nuk trembet nga kronikat e ditës, dukej se thoshte qetësia e tij. Cigarja dhe gota dukej se përbënin hajmalinë apo ngushëllimin e a tij që e njeh të shkuarnë si ngjarje dhe si shkencë e ngjarjeve.

E ndeshja viteve të fundit te Friends Book House. Përshëndesja të njëjtin pikëllim. Një prej takimeve të fundit më tha se do bënte një seri reportazhesh për lumenjtë. Për jetën e tyre nga burimet deri në grykëderdhje. U magjepsa prej idesë. Dua të vij me ty në një prej udhëtimeve, i thashë. Buzëqeshi. Një buzëqeshje të papërcaktuar që ishte e tija dhe tregonte shenjat e një përhumbjeje më shumë se të një adrese.

Nuk e di a jemi parë më pas asaj here, por në mes të lumenjve të Baxhakut dhe të jetës, u fut mortja. Ende i ri, Baxhaku duhet t’i ketë dhënë takimit me të të njëjtën buzqëqeshje të papërcaktuar. Një sfidë në formën e përhumbjes.

Ai që është i lexuar në histori nuk pyet për kronikën e zezë. E përqesh me anë të një heshtjeje të qetë. Si një lumë kur i afrohet deltës.

Lamtumirë Baxhak, mjeshtër, koleg dhe njeri i mirë!

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT