Andi Zylyfi, 23-vjeçari që mbeti i vdekur mbrëmjen e djeshme nga të shtënat me armë zjarri në një fshat të Peqinit kishte vetëm një ditë që ishte kthyer në Shqipëri.
Lidhur me këtë ngjarje, Krimet e Rënda kanë nisur tashmë një hetim për lidhjet e Zylyfit, apo edhe të Ardit Uruçit, mikut të viktimës që mbeti i plagosur.
Pas sekuestrimit të pamjeve filmike të kamerave të bizneseve të zonës ku u krye atentati, burime për “BalkanWeb” bëjnë me dije se uniformat blu kanë identifikuar llojin e automjetit të përdorur nga atentatorët.
Ata dyshohet se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Po ashtu, në 29 dhjetor të vitit të shkuar, Zylyfiu iu ekzekutua djali i hallës dhe dy miqtë e tij në Bradashesh. Në atë atentat mbetën të vdekur Endrit Alibej, 34 vjeç, Arben Dylgjeri 56 vjeç nga Elbasani, si dhe një shtetas turk Erdal Duranay.
Policia po heton në disa pista. Dyshohet se atentati ka ndodhur për larje hesapesh mes bandash. Po ashtu, 23-vjeçari është djali i një ish-punonjësi të sigurisë në burgun e Peqinit, dhe një prej pistave ku po hetohet është ajo që lidhet me punën e Hysni Zylyfit, babait të viktimës.