Partia Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme që të verifikojë pastërtinë e figurës së Valdrin Pjetrit, kandidatit të PS-së, që zëvendësoi Ditmir Bushatin në Shkodër.
Në shkresën e dërguar ndaj këtij institucioni, PD deklaron se ka indicie dhe dëshmi publike se Valdrin Pjetri, nuk mund të ushtrojë funksionin publik për shkak të ligjit të dekriminalizimit.
“Në vitin 2001-2002, Valdrin Pjetri ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali (ka jetuar në Firence, Itali) dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Valdrin Pjetri nga periudha 2002 – 23.03.2010 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë”, thuhet në shkresën e PD-së.