Policia ka sekuestruar fletët e votimit që denoncoi PD në fshatin Pekisht të Peqinit ku janë zbuluar materiale të dyshuara si të falsifikuara, përfshirë fletë votimi të paplotësuara dhe një listë emërore zgjedhësish.
Ky hetim i nisur, përforcon denoncimet e PD se në Qarkun e Elbasanit janë mbushur kutitë e votimeve nëpër lokale nga eksponentë e PS-së.
Pas denoncimit, policia dhe prokuroria ndërhynë në një lokal në pronësi të shtetasit Dervish Beqiri ku ky i fundit është proceduar penalisht, pasi i janë gjetur fletë votimi të falsifikuara, listë emërore e zgjedhësve dhe shuma parash.
Njoftimi i policisë/ Peqin
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin, pas njoftimit të marrë më datë 22.05.2025, se në një lokal në fshatin Pekisht, ishin gjetur disa materiale të dyshuara zgjedhore, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, me qëllim verifikimin e rastit.
Gjatë veprimeve të kryera në vendngjarje, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, në lokalin e shtetasit Dervish Beqiri, janë gjetur dhe sekuestruar 10 fletë të ngjashme me fletët e votimit, të paplotësuara, të dyshuara të falsifikuara, si dhe një listë emërore e zgjedhësve. Gjithashtu, është sekuestruar portofoli i shtetasit D. B., me 280 000 lekë.
Më tej, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Dervish Beqiri janë gjetur një pushkë e vjetër trofe dhe një pistoletë zhurmuese (sportive).
Në vijim të veprimeve për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet procedurale në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Dervish Beqiri, për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Foto: Dervish Beqiri/SYRI.net