Me anë të një statusi në rrjetin social Facebook, deputeti demokrat, Astrit Patozi, ka përshkruar se situata politike në vend është mjaft e rënduar.
Patozi e ka cilësuar mosmarrëveshjen e palëve si testin klasik të luledeles, ku petalet i këput kryetari i LSI-së, Ilir Meta, dhe gjithë të tjerët mbajnë frymën.
Deputeti i Vlorës, gjatë këtij shkrimi të shkurtër, shprehet i dëshpëruar dhe i zhgënjyer për pikën ku ka arritur vendi.
“… MË DO, S’MË DO?
… Kryesisht për shkak të Edi Ramës, Shqipëria sot më ngjason me atë testin klasik të luledeles, “më do, s’më do”. Ku petalet i këput Ilir Meta dhe gjithë të tjerët mbajnë frymën, se çfarë do teprojë për ta në goditjen e fundit.
Më argëton shumë kjo lojë, sinqerisht, kur përfytyroj suspancën e palëve të interesuara, se si u ndryshon adrenalina nga dita e qametit, që ata mendojnë se po afrohet.
Por më dhimbset po kaq shumë atdheu, që ka mbërritur në këtë pikë…”