Politikë

Patozi: Jam dakord me Metën, gjendja në Shqipëri u rëndua pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008


               Publikuar në : 15:50 - 09/10/19 M. S

Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, duket se është në një mendje me presidentin Ilir Meta, kur thotë se gjendja politike në Shqipëri është rënduar pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008.

Patozi thotë se do të mbështeste më shumë në këtë rast se do të shikonte se ky këndvështrim do të shndërrohej në qëndrim zyrtar të LSI-së, si njëra nga partitë kryesore të opozitës.

Statusi

JAM DAKORD PLOTËSISHT ME ILIR METËN

Jam dakord plotësisht me Presidentin e Republikës, kur thotë se gjendja politike në Shqipëri u rëndua pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008.

Por do ta mbështesja më shumë në rast se do të shikoja që ky këndvështrim do të shndërrohej në qëndrim zyrtar të LSI-së, si njëra nga partitë kryesore të opozitës. Do të ishte një kontribut i mirëpritur për kauzën e ndryshimit të sistemit, i cili, sipas meje, është përgjegjësi kryesor për krizën e thellë politike në Shqipëri.

Por mbi të gjitha, mendoj se do t’ia vështirësonte shumë misionin Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për ta mbajtur me thonj statuskuonë e listave të mbyllura, si thelbi i një pushteti okult dhe të pamerituar që është keqpërdorur për më shumë se 10 vjet.

Koha i ka dhënë të drejtë Ilir Metës, i cili asokohe ishte në grevë urie për ta kundërshtuar kryetarokracinë, ndërsa unë kam qenë njëri prej atyre që e kanë votuar atë gabim historik, edhe pse nisur nga një qëllim i mirë.

Por politika është dinamike dhe askush nuk mund të mburret për një meritë të dikurshme dhe as të mbajë në shpinë një faj për gjithë jetën. Jo thjesht ngaqë “koka e falur nuk pritet”, por edhe sepse ka gjithmonë kohë dhe mundësi për t’i ndrequr problemet e shkaktuara nga vendimmarrje të gabuara.
Ka vetëm një kusht për të qenë i besueshëm: që, si ndjesa, ashtu edhe distancimi, duhet të bëhen pa hipokrizi.

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT