Editorial - Opinione

Pasi dështoi me Iranin e Korenë e Veriut, Trump po e provon artin e tij diplomatik në Kosovë


               Publikuar në : 10:59 - 10/10/19 Enno

Pasi nuk po i funksionon një marrëveshje me Korenë e Veriut dhe me Iranin, tani duket se presidenti amerikan Donald Trump po e provon artin e tij diplomatik në Kosovë. Krejt spektri politik në Kosovë duhet të mendojë mirë si të sillet dhe si do të përgjigjet nëse edhe korrigjimi i kufijve kthehet në tavolinë. Për Kosovën, fatkeqësisht, nuk ka opsione të kënaqshme. Ndërsa Trumpit do t’i mjaftonte një ceremoni e nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë për ta prezantuar si sukses në zgjedhjet e vitit 2020. Që kjo të arrihet sa më shpejt, për këtë është ngarkuar Richard Grenelli.

Nga: Enver Robelli

Filloi si një muhabet për korrigjimin e kufijve, u thellua në biseda e negociata mes presidentit serb dhe atij kosovar, u përkrah nga lobistë të paguar mirë dhe tani kemi një të dërguar personal të presidentit Donald Trump, i cili ka «mandat të plotë» për të arritur një marrëveshje të shpejtë që e zgjidh nyjën mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk duhet pasur iluzione: në tavolinë ende është opsioni i korrigjimit të kufijve të Kosovës – domethënë: Kosova jep veriun (ose pjesën më të madhe) dhe merr diçka nga Lugina e Preshevës.

Presioni mbi Kosovën do të rritet. Rrjedhimisht, edhe ndaj qeverisë që krijohet (nëse krijohet). Presidenti Trump nuk ka arritur ndonjë sukses në çështjet e mëdha të politikës botërore. Ju hodh në përqafim diktatorit koreanoverior, madje tha se prej tij merr letra të bukura, por edhe pas dy takimeve me Kim Xhong-unin (në Singapor dhe Hanoi), marrëveshja për deneuklarizimin e Koresë Veriore nuk është askund.

Për Kim Xhong-unin armët bërthamore janë sigurim jetësor. E ka parë si e rrëzuan kolegun e tij në Libi, Moamer al-Gadafin. Në emër të Amerikës Trump është tërhequr nga marrëveshja bërthamore e europianëve dhe Washingtonit dhe që nga atëherë po tenton të bëjë një pazar, një «deal» të ri me Iranin. Por as kjo s’po i funksionon. Këshilltari i deritanishëm për siguri nacionale John Bolton përkrahte opsionin e luftës kundër Iranit, Trump ishte kundër dhe e largoi Boltonin.

Përpjekja e tij për «deal» prapë nuk po jep rezultate. Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ditë më parë presidenti francez Emmanuel Macron në një hotel në New York vendosi një linjë të sigurt telefonike me presidentin Trump dhe pastaj shkoi e luti presidentin iranian Hasan Ruhani të flasë me Trumpin. Ruhani refuzoi, sipas mediave prestigjioze amerikane.

Tani duket se Trump po e provon me Kosovën artin e tij diplomatik. Krejt spektri politik në Kosovë duhet të mendojë mirë si të sillet dhe si do të përgjigjet nëse edhe korrigjimi i kufijve kthehet në tavolinë. Për Kosovën, fatkeqësisht, nuk ka opsione të kënaqshme. Ndërsa Trumpit do t’i mjaftonte një ceremoni e nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë për ta prezantuar si sukses në zgjedhjet e vitit 2020. Që kjo të arrihet sa më shpejt, për këtë është ngarkuar Richard Grenelli.

Serbia e ka planin e Dobrica Qosiqit, i cili si shkrimtar racist i ka quajtur shqiptarët llum të Europës dhe ka kërkuar ndarjen e Kosovës. Idenë e ndarjes e ka përkrahur Ivica Daçiqi ngaherë, qoftë si ministër i Jashtëm, qoftë si kryeministër. Dhe pas tij ka qëndruar Aleksandër Vuçiqi, kryetari i tanishëm i Serbisë. Pastaj, hap pas hapi, kjo ide është etabluar edhe në debatet në Bruksel dhe dikur është përqafuar nga presidenti i Kosovës, kryeministri i Shqipërisë dhe përkrahësit e tyre medialë.

Nga pala shqiptare motivet janë të ndryshme: ndonjëri i është bashkuar idesë në zanafillë serbe për të mbetur faktor politik, duke besuar se kështu shpëton nga problemet me drejtësinë ndërkombëtare, ndonjë tjetër ka besuar se mund të bëhet baba i kombit, e ndonjë tjetër ka dashur të jetë protagonist i historisë me çdo çmim.

Tani është e qartë: Serbia do të kërkojë një copë të Kosovës. Alternativa tjetër është një autonomi e gjerë për serbët në Kosovë, siç e parashihte marrëveshja për asociacionin, të cilën e nënshkruan verbërisht PDK dhe LDK. Një pjesë e madhe e marrëveshjes është shpallur antikushtetuese. Jo për herë të parë Kosova do të gjendet para zgjidhjes: e do kolerën apo murtajën?

Dhe kjo situatë është prodhuar nga politikanët e papërgjegjshëm që para sysh i patën dhe i kanë vetëm interesat personale. Tash do të ishte iluzion të priten mrekulli nga një qeveri e re e Kosovës. Ndoshta rrugëdalja e vetme është një referendum: le të vendosë populli nëse çfarë do. Që referendumi të organizohet, duhet të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës. Por së pari Kosovës i duhet konsensus i të gjitha forcave politike. E ky konsensus do të jetë vështirë të arrihet në një ambient të tensionuar politik.

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT