Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny është nisur nga Gjermania drejt Rusisë, ku ai mund të përballet me arrestim.
“Unë, të arrestohem? Unë jam i pafajshëm”, tha Navalny për gazetarët para se të hipte në avionin e Pobeda, që është në pronësi të kompanisë shtetërore, Aeroflot.
Navalny është njëri nga kritikët më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin. Pasi u ul në ulësen e tij në aeroplan, Navalny tha se është i lumtur që po kthehet në shtëpi.
“Ky është momenti më i mirë në këto pesë muajt e fundit. Ndihem mirë, më në fund po kthehem në qytetin tim”.
I pyetur nëse mendon se autoritetet ruse do ta arrestojnë, ai tha se është i pafajshëm. “Pse të frikësohem? Çfarë e keqe mund të më ndodh mua në Rusi. Besoj se ndihem si çdo qytetarë i Rusisë që ka të drejtë të kthehet në shtëpi”, tha ai.
Navalny, i cili pret që të ketë sukses në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në shtator, po ashtu mund të përballet edhe me tri procese gjyqësore, të cilat, sipas tij, janë të motivuara politikisht.