Edgar Çani rikthehet në atdhe, pas një karriere të gjatë në Itali, me itinerare në Poloni e Angli, java e Edgar Çanit, sulmuesit të Kombëtares, nisi me prezantimin te Partizani. Më në fund i kuq, me shallin e skuadrës në qafë në sallën e konferencave, si për të demonstruar lidhjen me ngjyrën që deh tifozët e 15 herë kampionëve, kontratë 2- vjeçare dhe fanella me numrin 9, atë të qendërsulmuesit të pastër, është padyshim ai goditja e madhe e kësaj vere.
Për Partizanin është një ëndërr e vjetër që bëhet realitet, me 28-vjeçarin që shpjegon se këmbëngulja dhe projekti i Partizanit bënë që kjo të ishte hera e duhur.
“Po është e vërtet Partizani më ka kërkuar edhe më parë, por këtë herë këmbënguli më shumë për mua dhe e pranova ofertën e klubit kryeqytetas, duke parë edhe projektin që ka.”
I rritur jashtë vendit, Çani prek për herë të parë Kategorinë Superiore, ashtu si Partizani, kërkon titullin kampion, shkruan Supersport.
“Klubi ka pretendime serioze, kërkon titullin pas shumë vjetësh dhe unë vendosa të vij për ta ndihmuar këtë ekip.”
Titulli por edhe kombëtarja, Partizani për të është ambienti i duhur për të rigjetur fanellën kuqezi, edhe pse pranon se për momentin nuk ka pasur kontakte me trajnerin e ri Panucci. Pak por e sigurt, Luçiano Moggi ka luajtur një rol thelbësor në transferimin e tij te Partizani. “Më ka pëlqyer projekti, që ma ka shpjeguar edhe Moggi, me të cilin ka komunikuar disa herë.”
Vlerësim për kampionatin shqiptar, Çani e di se asgjë nuk mund të merret e garantuar.
“Nuk e njoh mirë futbollin shqiptar, sepse kam jetuar në Itali, por kam parë disa ndeshje dhe kam krijuar një imazh. Është një kampionat u fortë dhe duhet të japim maksimumin.” Këpuca e artë padyshim që e josh, megjithatë nuk i vë vetes objektiva personalë, i pari vjen suksesi i Partizanit.
“Nuk kam objektiva personale pë rsa i përket numrit të golave, por dua të ndihmoj klubin të arrijë atë që do.”
Konkurrenca nuk e tremb, në botën e profesionistëve luan ai që e meriton. “Më pëlqen konkurrenca, nuk i frikësohem. Do të ishte bukur të shpallem kampion me Partizanin.” Tifozët mund të rrinë të qetë, ekipi që ka simpatizuar që i vogël në Shqipëri është pikërisht Partizani, mesazhi i fundit është për ta.