Partizani fiton gjyqin në KAS, zhbllokohet merkato

Mbërrin lajmi i shumëpritur për skuadrën e Partizanint. “Demat e Kuq” kanë fituar zyrtarisht gjyqin në KAS, për zhbllokimin e merkatos.

Kryeqytetasit kanë marrë përgjigje pozitive nga KAS dhe tani mbetet vetëm që të fillojnë punën për përforcimin e skuadrës me lojtarët e nevojshëm.

Lajmi u bë i ditur nga vetë klubi përmes një njoftimi për mediat në rrjetet sociale.

”NJOFTIM
Klubi njofton se sot është bërë me dije nga CAS për heqjen e pezullimit të sesionit të transferimit të lojtarëve, vendim që ishte në fuqi nga FIFA në lidhje me çështjen e sulmuesit Erald Çinari. Klubi saktëson se ky është një njoftim paraprak, deri në zbardhjen e plotë dhe përfundimtare të vendimit që ka marrë CAS, përmes të cilit do të përcaktojmë dhe hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren në lidhje me këtë çështje. Nga ky moment tashmë FK Partizani rifiton të drejtën për të operuar në merkaton e Janarit.”

Partizani u dënua pak muaj më parë për çështjen “Çinari”, me tri sesione merkato bllokim dhe me një gjobë 83 mijë euro. Ky vendim, u apelua nga drejtuesit, ndërkohë që sot ka mbërritur dhe përgjigjia pozitive.

Me zhbllokimin e merkatos Partizani do të ketë më shumë shanse për të luftuar për  titullin kampion, duke parë që trajneri Daja arriti t’i marrte maksimumin grupit që kishte në fillim të sezonit.