Deklarata e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, pak ditë më parë se do jepte dorëheqjen nëse kryeministri Edi Rama do të fitonte 71 mandate me votë të lirë, krijoi një jehonë të madhe mediatike.
Gjatë konferencës së sotme për shtyp, Meta u pyet nga gazetarët se kë do të mandatonte pas zgjedhjeve të 25 prillit, partinë fituese apo koalicionin me më shumë mandate.
Meta u shpreh se do të ketë surpriza, pasi në garë ka shumë koalicione dhe forca politike. Sipas tij, e rëndësishme është që qytetarët të shkojnë masivisht në votime.
Ilir Meta: “Unë dua t’ju jap një përgjigje tepër parimore: Në këtë garë ka shumë koalicione dhe shumë forca politike. Nuk janë vetëm dy, nuk janë vetëm tre, kështu që është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët shqiptarë të nisen drejt kutive të votimit dhe me qetësi të vendosin se kë do të zgjedhin dhe se kë do të ndëshkojnë.
Vota është një mjet për të zgjedhur. Është edhe një mjet për të ndëshkuar. Është e drejta e tyre të gjykojnë me shumë qetësi dhe objektivitet. Për mua është e rëndësishme që procesi të jetë tërësisht transparent, tërësisht me integritet, vota e çdo qytetari të jetë e barabartë, askush të mos intimidohet.
Do të informojmë edhe më tej opinionin publik për të gjitha figurat që përfshihen te krimi zgjedhor, sepse janë shumë figura, në mënyrë që të gjithë ta kuptojnë se nuk do të ketë asnjë tolerim për cilindo që përfshihet në një veprimtari të tillë.”