Pasditen e sotme në Tiranë pritet të mbahet protesta e thirrur nga Partia e Lirisë. Kryetari i kësaj partie, Ilir Meta ka theksuar se kjo protestë është e qytetarëve, dhe se kryefjala do të jetë lidhur me aferën e inceneratorëve.
“NDIHESH I VJEDHUR? EJA EDHE TI! Afera e inceneratorëve është “kryevepra” e korrupsionit. Është vjedhja më e madhe që u është bërë qytetarëve shqiptarë.
Popullit i kërkojnë të kursejë ndërsa Qeveria nuk ndalet së vjedhuri në kulmin e krizës. Të gjithë në protestë më 13 shtator, ora 18:00, tek inceneratori i Tiranës!”, shkruante Meta krahas spotit të protestës.
Disa ditë më parë, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, njoftoi se më 13 shtator, kjo forcë politike do të zhvillojnë një protestë tek inceneratori i Tiranës.
Meta ftoi të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në këtë protestë, ku nënvizoi se nuk duhet të mungojnë as ekspertët e fushës. Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një konferencë për mediat i pyetur për pjesëmarrjen e krahut të djathtë të opozitës në protestën e paralajmëruar në inceneratorin e Tiranës më 13 shtator, u përgjigj se kjo do të jetë një protestë e qytetarëve dhe nuk do të ketë asnjë flamur partie.