Gazetari i njohur investigativ, Artan Hoxha, teksa ka qenë i ftuar në “Repolitix”, ka thënë se nëse në vend krijohet sërisht situata e ’97-tës, shqiptarët e dinë me kë të përballen.
Sipas Artan Hoxhës, nëse qytetarët preken, do të sulen ndaj politikanëve dhe oligarkëve që kanë marrë paratë e tyre. Ai shtoi më tej se jemi në pikën që nuk ka më rregulla loje, ndërsa ndërkombëtarët kanë bërë me dije se nuk do të ndërhyjnë.
“Në ’97 shqiptarët u prekën nga xhepi, dhe nuk iu doli njëri garant. Jemi në një lojë shahu, por nuk është tavolinë e thjeshtë, është territori i Republikës së Shqipërisë.
Gjithë ndërkombëtarët kanë bërë me dije se nuk do të ndërhyjnë këtë herë. Jemi në pikën që nuk ka më rregulla loje. Jemi në momentin kur tifozët janë në fushë.
Kërcënimet që secila palë i bëjnë, që ta trembin tjetrin. Njerëzit e dinë tani se kujt duhet t’i bien. Politikanët janë më të pasur se oligarkët vetë. Qytetarët janë jashtë vorbullës, por kur të hyjë turma, loja nuk dihet se nga shkon. Shqiptarët nuk e kanë harruar ’97. Kur plas lufta e dinë se kush digjet. Në Tiranë ka vila me rezidenca me polici private dhe shtetërore non-stop. Po shkoi situata aty, ai polici është i pari që i shkon asaj rezidence mes për mes”, tha Hoxha.