E diel, 20 Qershor, 2021
18.5 C
Tirana

‘Para të errëta’ dhe këshilltarë izraelitë pas zgjedhjeve shqiptare

Tri javë përpara zgjedhjeve të kontestuara parlamentare të 25 prillit, një faqe në Facebook e titulluar ‘Untold Stories of Albania’, publikoi ekstraktin e një interviste televizive të liderit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ku gazetari thotë me humor se gjumi i Bashës ishte kthyer në një çështje elektorale.

“Është rutina ime e përditshme. Fle gjumë,” duket se përgjigjet Basha. “Qytetarët e kanë parë se si unë, edhe Partia Demokratike kemi qenë nga mëngjesi deri në darkë në gjumë”!

Videoja, e cila përmban edhe pamjet e një burri që fle në një kolltuk lëkure, shfaqet e trukuar. Në thelb ishte e tillë, e megjithatë mori 203,844 shikime në Facebook –një rezultat mbresëlënës për pak më shumë se 300 USD të shpenzuara për promovimin në Facebook, përmes një llogarie me vetëm 1833 ndjekës.

Videoja është një shembulli i vrazhdë i “deep fake”-një video që portretizon dikë të thotë diçka, që në të vërtetë nuk e ka thënë.

Ajo nuk ishte reklama e vetme politike e transmetuar në “Untold Stories of Albania” që sulmonte Bashën apo drejtues të tjerë të opozitës përpara zgjedhjeve të 25 prillit, të cilat u fituan nga Partia Socialiste në pushtet e kryeministrit Edi Rama.

Në fakt, kjo faqe publikoi 218 reklama politike nga dhjetori deri në prag të votimeve, duke regjistruar miliona shikime. Pas sigurimit të fitores nga socialistët, ajo ndaloi së postuari.

Reklamat u publikuan me shënimin se u paguan nga “Untold Stories of Albania”, por një entitet i tillë nuk ekziston, ndërsa në librarinë e reklamave të publikuara nga Facebook nuk jepet asnjë e dhënë se kush e zotëron faqen apo kush e financon atë.

Duke përdorur të dhënat e mbledhura përmes Crowdtangle, një aplikacion në pronësinë e gjigandit të medias sociale, BIRN mundi të identifikonte pesë faqe të ngjashme në Facebook, të cilat regjistruan dhjetëra milionë shikime të videove përpara zgjedhjeve në Shqipëri, ndonëse ndajnë së bashku vetëm pak mijëra ndjekës.

Ndërsa burimi i financimit të këtyre reklamave është i panjohur, kjo formë e shpenzimeve politike referohet shpesh si “para e zezë”.

Një anonimitet i tillë i inkurajon aktorët politikë që të shkelin kufijtë e normave demokratike –thotë Anthony Nadler, profesor i asociuar i Studimeve të Medias dhe Komunikimit në kolegjin Ursinus në Pensilvani.

“Kur burimi i financimit mbrapa një fushate reklamash nuk është i identifikuar, askush nuk frikësohet se mund të mbahet përgjegjës nëse reklamat janë manipulative, nxisin urrejtje apo shpërndajnë keqinformim,” tha Nadler.

“Për më tepër, paratë e errëta i lejojnë reklamuesit që përfshihen në përpjekjet për t’u shtirur si grupe të tjera interesi, ndoshta me qëllimin e nxitjes së ndasive ose keqdrejtimit të rivalëve të tyre,” shtoi ai.

BIRN u përpoq pa sukses që të kontaktonte me administratorët e “Untold Stories of Albania” përmes Facebook-ut dhe emailit. Edhe Facebook nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Problemi global i “parave të errëta”

Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama fitoi mandatin e tretë radhazi të paprecedentë në zgjedhjet e prillit, duke marrë 74 nga 140 deputetët e Kuvendit. Për shkak të masave kufizuese të COVID-19, shumica e fushatës elektorale u zhvillua në mediat sociale.

“Fushata elektorale u zhvillua në kushtet e kufizimeve të COVID-19, pjesa më e madhe e grupeve shoqërore ishin gjithashtu të kufizuar,” thotë Afrim Krasniqi, drejtori ekzekutiv i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike.

“Për këtë arsye ishte e pritshme që lajmet online dhe reklamat online do të kishin audiencë shumë më të madhe sesa mjetet tradicionale të komunikimit direkt,” shtoi ai.

Në fillim të marsit, Facebook-u, rrjeti social më popullor në Shqipëri me rreth 1.6 milionë përdorues, i detyroi llogaritë që reklamonin çështje politike dhe sociale që të regjistroheshin në mjetin e vet të Transparencës së Reklamave.

Sipas të dhënave nga libraria e reklamave të Facebook, partitë politike dhe kandidatët për deputetë shpenzuan rreth 300 mijë USD në reklama politike nga 11 marsi deri në prag të ditës së zgjedhjeve.

Lexo edhe :   Dështoi në zgjedhje/ Rudina Hajdari: Lufta për demokraci nuk ka mbaruar

Në këtë llogari përfshihen edhe shpenzimet nga faqe të ngjashme me “Untold Stories of Albania”, e cila shpenzoi 16,003 dollarë për reklama në Facebook dhe Instagram gjatë kësaj periudhe.

Por se kush apo çfarë i siguroi në të vërtetë këto para mbetet një mister.

Reklamat e financuara nga “paratë e errëta” nuk janë një problem që haset vetëm në zgjedhjet shqiptare. Sipas Nadler, financime të tilla vazhdojnë të mbeten problem edhe në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht hapave të ndërmarrë nga kompanitë e mëdha të teknologjisë.

“Facebook dhe Google kanë ndërmarrë disa hapa për verifikimin e identitetit të entiteteve ligjore që sponsorizojnë reklama, në mënyrë që të godasin aktorët e huaj të financimit të reklamave politike,” tha Nadler.

Lexo edhe :   Dështoi në zgjedhje/ Rudina Hajdari: Lufta për demokraci nuk ka mbaruar

“Por nuk ka pasur asnjë përpjekje në dijeninë time për të ndaluar reklamën e targetuar nga grupet e “parave të errëta”, të cilat janë entitete amerikane pa asnjë detyrim ligjor për të bërë transparencë mbi financuesit e tyre të mëdhenj,” shtoi ai.

Lidhja izraelite

“Untold Stories of Albania” filloi të rriste shikueshmërinë e videove të saj në dhjetor 2020.

Sipas të dhënave të siguruara përmes Crowdtangle, nga dhjetori 2020 deri në prill 2021, “Untold Stories of Albania” publikoi 44 video, të cilat u panë 3.75 milionë herë.

Duke përdorur Crowdtangle, BIRN arriti të identifikonte edhe pesë faqe të tjera Facebook-u që publikuan reklama politike dhe regjistruan një normë shikueshmërie jashtëzakonisht të lartë në periudhën parazgjedhore, pavarësisht se ato kanë së bashku vetëm disa mijëra ndjekës.

Këtu përfshihet “Çorapja”- një faqe e satirës politike, që ndonëse ka vetëm 6,839 ndjekës, ishte megjithatë e aftë që të siguronte 11.7 milionë shikime të videove të postuara prej saj nga shtatori 2020 deri në shkurt 2021.

Një tjetër faqe e quajtur ‘Pakez Drite’, e cila promovon projektet qeveritare të turizmit rural publikoi gjithashtu reklama negative kundër opozitës dhe regjistroi 18.25 milionë shikime, ndonëse ka vetëm 5,326 ndjekës.

Faqja ‘Pune Pune’ ka 1,364 ndjekës, por reklamat e saj politike u panë 7.9 milionë herë.

Të tre këto faqe u krijuan në të njëjtën ditë –më 3 shtator 2020.

Dy faqe të tjera, të cilat u krijuan më 11 dhe 13 nëntor 2020 – ‘Ligj dhe Rend’ dhe ‘Te Jesh Grua’ – patën sukses të ngjashëm.

“Ligj dhe Rend” regjistroi 3.39 milionë shikime me vetëm 896 ndjekës, ndërsa “Te jesh Grua” mori gati dyfishin e shikimeve, ndërsa ka të regjistruar vetëm 1,785 ndjekës.

Një analizë e fjalëve të përdorura në rreth 800 reklamat e publikuara në këto faqe tregon se ato përmbajnë shpesh mesazhe politike të përdorura në fushatë nga Partia Socialiste; përfshirë termat “mandati i tretë”, “punë jo gjumë”, “s’ka kohë për pushim”, “Voto PS” ose “Voto 12”.

Sipas të dhënave të Crowdtangle, gjashtë faqet e identifikuara të Facebook-ut për përdorimin e parave të errëta regjistruan në total 51.44 milionë shikime të videove nga shtatori 2020 deri në ditën e zgjedhjeve, një shifër kjo 18 herë më e lartë sesa popullsia prej 2.8 milionë e Shqipërisë.

Numrat e telefonit të listuara në këto faqe të Facebook-ut ishin jashtë shëbimit, ndërsa përpjekjet për t’i kontaktuar përmes mesenxherit dhe emailit mbetën pa përgjigje.

Sipas librarisë së reklamave të Facebook, këto gjashtë faqe shpenzuan në total 36,810 dollarë në reklama politike nga 11 marsi deri ditën e zgjedhjeve.

Numri jashtëzakonisht i lartë i shikueshmërisë së videove dhe mesazhi politik në favour të Partisë Socialiste nuk janë lidhja e vetme mes gjashtë faqeve.

Sipas raporteve të tyre të transparencës, secila prej këtyre faqeve e ka llogarinë e administratorit të listuar me adresë primare në Izrael. Sipas një shkrimi të publikuar më 7 maj në Times of Israel, të paktën tetë këshilltarë politikë nga Izraeli ishin përfshirë në fushatën elektorale të Shqipërisë, të punësuar si nga socialistët, ashtu edhe nga demokratët./BIRN

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

OBSH e shpall të përfunduar shpërthimin e Ebolës në Afrikën Perëndimore

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se shpërthimi i virusit të Ebolës, që nisi në shkurt në Guinea, ka përfunduar. Ky virus vdekjeprurës, që përcillet...

Levandovski mban gjallë shpresat e Polonisë, Spanja komplikon kualifikimin

Përfundon ndeshja e grupit C, ku Spanja ka komplikuar kualifikimin, pasi Polonia i ka surprizuar, duke i rrëmbyer një pikë. Sfida u mbyll në...

Gjermani, gjenden dy piktura të shekullit XVII në një kosh plehrash

Policia gjermane po kërkon për informacion për dy piktura origjinale nga artistë evropianë të shekullit të 17, të cilat përfunduan në një kosh plehrash...

Kapacitetet e Kosovës për vaksinim në masë të popullsisë kundër COVID-19

Në Kosovë gjatë kësaj jave filloj vaksinimi në masë i qytetarëve kundër COVID-19, me synimin që të vaksinohen deri 320 qytetarë në muaj. Zyrtarë...

Mbi 1 milion vaksina/ Mbërrijnë në Rinas edhe 50 mijë doza të Coronavac

Mbrëmjen e sotme, kanë mbërritur në aeroportin ''Nënë Tereza'', 50 mijë doza të vaksinës kineze Coronavac. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi...