E diel, 29 Nëntor, 2020
5 C
Tirana

“Para se të vdiste, Musine Kokalari më thirri mua dhe kunatën time”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik

Më të lexuarat

Misteri shumëvjeçar: Ku ndodhet deklarata origjinale e pavarësisë së Shqipërisë

Deklarata origjinale e Pavarësisë së Shqipërisë, e firmosur më 28 nëntor 1912 në Vlorë nga delegatët e të gjitha krahinave të Shqipërisë etnike, nuk...

U ekzekutua me 8 plumba në Belgjikë, zbardhet identiteti i shqiptarit të vrarë

Mbrëmjen e djeshme, Brukseli u tmerrua nga të shtëna armësh, nga të cilat mbeti i vdekur një 38-vjeçar shqiptar. Ditën e sotme, është zbardhur identiteti...

Tronditet Bulqiza/22-vjeçari u qëllua nga shoku i tij, ja çfarë ka ndodhur

Policia e Bulqizës duket se është drejt zbardhjes së ngjarjes së rëndë, ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku ka humbur jetën një i ri. 22-vjeçari...

A do të na mbrojë vaksina e Covid-19?

Pretendentët kryesorë në garën e vaksinave COVID-19 kanë patur nivele të ndryshme suksesi pas provave klinike, por çfarë do të thotë kjo për luftën...

”Për dy javë zhduket Covid nga planeti”/ Mjeku popullor tregon terapinë

Mjeku popullor, Ruzhdi Metali është shprehur se virusi Covid-19, mund të zhduket për dy javë nga planeti. Në ''Zonë e Lirë'', ai tha se fillimisht...

Studimi: Ja 2 tiparet, që mund t’i bëjnë njerëzit super-përhapës të Covid-19

Provat të shumta tregojnë se super-përhapësit janë faktorët kryesorë të pandemisë Covid-19. Një numër studimesh, kanë treguar se shumica e njerëzve të prekur nga...

28 Nëntori/ Presidenti rus, Vladimir Putin uron shqiptarët

Me rastin e 108-vjetorit të pavarësisë, Presidentit i Rusisë, Vladimir Putin, ka uruar shqiptarët përmes një telegrami urimi dërguar Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Në...

Covid-19 në vend/ Bien infektimet, numri i viktimave mbetet i lartë

Kurba e Covid-19, ka pësuar një rënie të lehtë në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë informon se në 24 orët e fundit, 545 persona rezultuan...

Ish-konkurrenti i “Për’puthen” i nxjerr bojën emisionit, nxjerr prapaskenat

Një ish-konkurrent i “Për’puthen” ka publikuar fotot e dyshimta të lojtarit të këtij edicioni, Atdheut, para se të bëhej pjesë e emisionit. Siç duket...

”Autorët i zunë pritë”/ Zbardhen detaje të reja nga atentati në Shkodër

Zbardhen detaje të reja në lidhje me ekzekutimin mafioz të ndodhur paraditen e sotme në Shkodër. Mësohet se autorët kanë qenë dy persona, të...

Nga: Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Musine Kokalarit gjatë periudhës që ajo ka qenë e internuar në qytetin e Rrëshenit, ku ishte internuar pasi kishte vuajtur 18 vite burg në Burrel. Dëshmitë e rralla të Shaban Doçit, me origjinë nga fshati Arrën rrethit të Kukësit dhe me banim në Shkozet të Durrësit, ish-i burgosur politik që pasi kishte vuajtur 18 vite burg me akuzën e tentativës së arratisjes dhe si “pjesë e një bande të UDB-së”, ai u internua në qytetin e Rrëshenit, ku familja e bashkëshortes së tij, Yldishan Izet Kalo që ishte dënuar me “Grupin e Teme Sejkos”, për 20 vjet me rradhë ishte fqinjë (dera – derës) me Musine Kokalarin. Bisedat e fundit të Musinesë me Shaban Doçin, porositë e fundit që ajo i dha, dhe peripecitë e tij për ta përcjellë për në banesën e fundit, pasi ajo ndërroi jetë më 13 gusht të vitit 1983.

37 vite më parë, më 14 gusht të vitit 1983, ndërroi jetë në qytetin e Rrëshenit, Musine Kokalari, Doktore e Shkencave, e lauruar për Letërsi në Romë në vitin 1941, e cila pasi kish tentuar të themelonte një Parti Social-Demokrate bashkë me disa intelektualë të tjerë miq të saj, që ishin diplomuar në universitetet e Përëndimit, u burgos pak kohë pas ardhjes së komunistëve në pushtet, (17 janar 1946), pasi më parë në ditët e fundit të Luftës, në nëntorin e ’44-ës, komunistët i kishin pushkatuar dy vëllezërit, Vesim dhe Muntaz Kokalarin, në bodrumet e Hotelit “Bristol” në qëndër të Tiranës. Pas dënimit me 20 vjet burg politik, si “armike e popullit dhe sabotatore e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, ajo vuajti 18 vjet në burgun e Burrelit dhe më pas u dërgua e internuar në qytezën e Rrëshënit të rrethit të Mirditës, ku kaloi 20 vitet e fundit të jetës, duke punuar në Ndërmarrjen e Ndërtimit si punëtore llaçi e në Ndërmarrjen Komunale si fshesare e rrugëve. Për figurën e Musine Kokalarit është shkruar e folur shumë pas viteve ’90, sidomos pas publikimit të dosjes së saj nga ana e Autoritetit të Informimit të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit të drejtuar nga znj. Gentiana Mara Sula. Por një ndër njerzit e parë që e ka njohur nga afër dhe është pronocuar në shtyp publikisht, (“Gazeta Shqiptare”, viti 2000), ka qenë z. Shaban Doçi, ish-i burgosur politik, i cili pasi ka folur për historinë e jetës së tij, është ndalur dhe ka dëshmuar edhe për njohjen me Musine Kokalarin e bisedat e fundit me të pak para se ajo të ndahej nga jeta. Intervistën në fjalë me z. Shaban Doçi (me origjinë nga fshati Arrën i Kukësit dhe me banim në Shkozet të Durrësit), Memorie.al po e risjell të plotë për lexuesit e saj, me rastin e 37 vjetorit të ndarjes së saj nga jeta të Musine Kokalarit.

Zoti Shaban, këtu në dokumentat e dënimit tuaj, thuhet se keni qenë anëtar i një bande dhe tentuat arratisjen?

Nuk isha vetëm anëtari i bandës, por edhe kryetari i saj. Nuk ishte bandë në fakt, ne donim të shpëtonim lëkurën nga diktatura komuniste e proletariatit, ndaj kishim vendosur të arratiseshim. Ishim 5 veta, shok mes tyre kisha Isa Menën, i cili u vra. Ai nuk e kishte plan të arratisej, por i vdiq i vellai në burg dhe nuk mundi të duronte më këtu, pasi edhe ai aty do përfundonte. Nga familja Mena e Dibrës jane vrarë të gjithë, pasi ata nuk kanë bashkëpunuar me asnjë regjim, përveç se me Mbretin Zog. Tre të tjerët nuk i kam njohur, se ishin shokë të Isait dhe ai na e bëri fakt të kryer prezencën e tij me grupin tonë, duke menduar për mirë, si për veten e tij.

Ku keni punuar para se të vendosnit për t’u arratisur nga Shqipëria?

Kam punuar ndërtues, pastaj kalova në një shoqëri që merrej me lëndë ndërtimi. Doja të shkoja të punoja e të jetoja në Amerikë si emigrant, s’jam marre me politik, as na burg e as jashta saj. Megjithata, Isain e kisha shok ta ngushta, e me vinte keq për të, donim me çdo kusht të largoheshim, por ai kishte qëllim politik, të bashkohej me Mbretin Zog. Unë nuk kisha qëllim politik, doja vetem të kaloja kufirin, të shkoja të jetoja pa vuajtje. Por planet m’i ndryshoi Isai.

Përse…?!

Po duhej që personat që do arratiseshin, të ishin në gjendje të ecnin, por këta të tjerët ishin të sëmurë, njëri ka qenë profesor, Idriz Halluni quhej, tjetri kishte mbaruar shkollen Mbreterore. Sipas planeve që kishim bërë, shkuam ne daten 1 maj t’i merrnin ne Tiranë. Kishim vendosur të shkonim deri në Lurë ose afër Kukësit me makinë ose në këmbë. Por, kur dolëm në Mamurras, ndryshuam drejtim.

 Cila ishte pika nga do të arratiseshit, pra nga ku kishit planifikuar se do ta kalonit kufirin shtetëror?

Nga Korabi, sepse e kishim kontrolluar gjëndjen para se të arratiseshim. Ecem tërë natën, por e humba durimin e i thashë njerit prej grupit: nëse s’ke besim, ndahemi, veçohemi secili në rrugën e vet. Por ai s’mund te bënte rrugë pa mua, duke qenë se kishim edhe lidhje familjare e miqësore. Ecëm tërë natën, Idrizi u sëmur dhe e morëm në krahë. Këta të tjerët ishin në moshën 45-50-vjeçare, vetëm unë isha më i riu, 27 vjeç. Idrizi me Sebastianin, nuk ishin në gjëndje të ecnin, pasi ishin të semurë.

Duke parë gjendjen në ato kushte që ishin ata, si vendosët?

U thashë të kthehemi e të mos humbasim kot e të vdisnim rrugëve, por shoku im, Isai, tha: jo.

Sa ditë keni rrugëtuar?

Kemi rrugëtuar nga data 1 deri në 15 gusht 1961, pra dy javë nëpër male. Nga Mamurrasi kemi dal në zonën e Shkopetit dhe nga aty kemi kaluar mes për mes rrethit të Matit për të dalë në Lurë. Furnizoheshim me bukë e iknim. Kur shkuam në Lurë, kemi rënë në sy, pasi sa dolëm ne, u lajmërua shefi, i plotfuqishmi i zonës, madje edhe se çfarë kishim veshur ne u kishin treguar. Që në atë moment, i madh e i vogël në Veri u ngritën në këmbë për të na kapur neve.

Pasi e kuptuat se ju kishin diktuar dhe se po ndiqeshit, ku shkuat më pas?

Në një vend që quhet Skavicë, ndodhet një mal e një pyll, ku u futëm derisa u bë natë. I lashë aty shokët e grupit dhe shkova të kërkoj bukë.

Ku furnizoheshit me bukë, nëpër dyqane?

Jo jo, nëpër katunde, u thosha që shisja, gjoja merresha me tregti dhe se kisha një fëmijë me vete, e s’kishim bukë të hanim. Pra gënjeja. Kur shkova prapë, më përqafuan të gjithë shokët, sepse menduan se i lashe aty e u dorëzova, i braktisa. Kjo është e keqja, kur nuk e njeh tjetrin, nuk di se çdo të ndodh me ty. Pasi hëngrëm atë pak bukë, u nisëm drejt malit të Korabit, kaluam pikën kryesore nga Kalaja e Dodës. Na kaloi një patrullë vullnetare civile përpara, e nuk na tha gjë.

Si shpjegohet…?!

Ata bënë sikur nuk na panë. Njerezit e bënin atë detyrë sa për një copë bukë e për të shkuar në shtëpinë e vet. Populli i thjeshtë ishin të mirë, por diktatura ishte e tillë, saqë asgjë nuk i shpëtonte dot. Shkuam drejt pikës së fundit të malit të Korabit dhe atje pamë dy drita. Një të postës dhe një të një shtëpie të lartë. Isai tha të zgjidhnim një tjetër, unë thashë një tjetër.

Si vendosët pas asaj, pra kush nga ju të dy kishte të drejtë?

Isai kishte të drejtë në fakt. U nisëm në drejtim të gabuar, gjë që e pamë vetëm në të zbardhur të dritës në mëngjez. U ndalëm dhe u kthyem. Për fat, atë natë ra nja katër gisht borë dhe nga gjysma e Korabit e sipër, kishte aq mjegull, sa me të fut gishtin në sy, nuk e shihje tjetrin. Unë nuk e morra Idrizin në krah dhe i thashë se: unë lashë babanë tim të vdiste, e nuk e mora të kalonte kufirin. Ai nuk e la, ishte besnik jashtë mase. Por nga që ishim shumë të lodhur, Isai shkoi dhe u dorëzua pastaj. Nuk shkoi me atë qellim në fakt, por këtë e bëri edhe Sebastiani më pas.

Po ju çfarë bëtë pasi ata shkuan të dorëzohen?

Ne vijuam të ecnim dhe aty ku ështe një majë me kthesa shumë, është e ndërlikuar për t’u orientuar edhe po të kesh lindur në atë vënd. Në atë moment i thashë edhe njëherë Sebastianit që të ndalonte, por ai nuk e bëri, por kur i thashë për herë të dytë, ai u ndal. Kisha frikë se mos ndahesha me Isanë, se ai ishte i këputur komplet. Ndërkohë Sebastiani kthehet poshtë, ku sheh nja dy fëmijë me dele. I pyeti se ku ndodhej, u kërkoi një copë bukë dhe u tha t’u tregonin se ku ndodhej kufiri. Ata e morën te shtëpia, ku ai në mirbesim u kish treguar atyre për ne, duke u thënë që nuk dorëzohemi. Ndërkaq ne vazhduam itinerarin, kemi kaluar tre kthesa për në shtegun tjeter dhe nuk e pamë më Isanë. Unë mora majtas, kurse ai mori gjysme majtas, ndaj humbëm nga njëri tjetri. Unë kalova në fushën e Korabit, ku në vënd të shkoja djathtas, mora majtas. U futa në një kasolle bagëtish ku fsheha armën, ndërsa shikoja nga larg grupe njerzish të mëdhenj e të vegjël që po ecnin në rruge, bashkë me forca të Ushtrisë ku dëgjuam edhe krisma.

Ju, me kë ishit ndërkohë?

Unë vetëm Skënder Takën e kisha me vete dhe i thashë: “Do jetë vrarë Isa Mena”?! “Jo”, më tha ai. Dëgjuam prapë krisma, ndërsa kur u err, vijuam përsëri rrugën. Kur shkuam afër lumit Drin, donim të ndryshonim rrugën, pasi nuk kishte asnjë mundësi depertimi, ndaj doja të ndërroja drejtim në një zonë tjetër, për të kaluar më pas kufirin. Shkova në një dyqan fshati për të marrë një pakete cigare dhe për më shumë të pyesja se ç’kishte ndodhur me Isanë. Atje më kanë kapur, pa hyrë në dyqan, në derë të dyqanit. Ishte data 22 gusht 1961.

Kush ju kapi?

Ai që më ka kapur, ish-oficer, tashmë në pension, ështe sot në Durrës bashkë me familjen. (Pioneri Xh. M. nga rrethi i Dibrës, i cili u dekorua dhe më pas për të u realizua filmi artistik “Lugina e pushkatarëve” nga Kinostudios “Shqipërie e re”). Pasi më lidhën duart nga mbrapa me litar, më hipën në një makinë dhe më çuan në Kukës ku më thanë: “Ta vramë Isanë”.

Aty e more vesh që ta vranë shokun?  

Po aty, por thashë ‘më mirë që e vranë, sesa të ishte kapur i gjallë. Kjo ishte puna e grupit’. Nga Kukësi më dërguan në Tiranë, nga Tirana në Durrës. Aty na mori hetuesia e Gjykatës Ushtarake Speciale, sepse dyshonin se mos kishim lidhje me grupin e Teme Sejkos, pasi Skënder Taka e kishte nip Teme Sejkon, por unë nuk e dija këtë. Hetuesit më akuzonin se unë isha shkaktar për gjithë ç’ka ndodhi dhe në proceset që hartuan ato dhe na kërkonin që t’i pranonim dhe t’i firmosnim, thuhej se ne ishim pjesë e një bande të UDB-së. Këto skenare i kishte përgatitur Sigurimi i Shtetit, për cilindo, jo vetëm për ne. Asnjë nga ne s’kishin të bënte me ato që thoshte dhe na akuzonte Sigurimi, pasi këta të grupit ishin të rrethit të afërt të Mbretit Zog, përveç meje që doja të ikja në Amerikë si refugjat. S’kemi pasur lidhje as me bandë të jashtme, as të brendshme.

Çfarë ju kërkonin në hetuesi?

Donin të më detyronin të thoja që po të më dilte ushtria para, unë do vrisja ndonjë ushtar. Hetuesi dhe përfaqësuesi i akuzës më ka mbajtur 30 ditë me këtë akuzë brënda. Pse do e vrisja unë ushtarin, ç’faj do më kishte ai? Në fund fare i thashë: ‘Po të hapja luftë me forcat e Ushtrisë, po të të shihja ty 500 metër larg, do të të vrisja ty, ushtarin jo’. Atëherë hetimi u mbyll.

Si e mendoni veprimin e atij personi të grupit tuaj që ju denoncoi që po arratiseshit, përse e bëri atë gjë?

Ai duhet të ketë sedër burrërore të thotë që s’ka asnjë faj. Atë që ka bërë ai, mund të bënte kushdo, ashtu ishte koha atëhere dhe atij ne i shkuam “qofte te dera”, si i thonë një fjale.

Ku u zhvillua gjyqi dhe sa ju dënuan?

Gjyqi u bë në Durrës dhe nga 22 vjet që kërkoi prokurori, gjykata ma uli në 15 vjet burg.

Sa vite burg vuajtët dhe ku e kryet dënimin?

Unë kreva plot 11 vjet e 2 muaj e 7 ditë, të tjerat i kam fituar me punë, me nga dy norma në ditë. Pas gjyqit fillimisht më dërguan në Tiranë në Kombinatin e Mishit, pastaj në ndërtim, ku ushtrova profesionin tim. Kam punuar te pallatet në krah të Bankës së Shtetit, ku e gjithë zona, deri te ish-shtëpitë e pilotëve italianë, e kam pasur unë në patronazh, kam qenë specialist i shkathët në të gjitha punimet. Pastaj na çuan në uzinën e Laçit, pastaj në Rubik, ku kishin vendosur të më caktonin teknik cilësie. Më thirri aty një Bajram Korvafa, një komandat kampi, kafshë fare, njeriu më i pasjellshëm dhe më i lig nëpër kampe. Gjithë kohën ishte i pirë, tapë dhe shishen e rakisë e mbante me vete në xhep.

Çfarë ju kërkoi komandanti i kampit?

Ai më tha se kishin vendosur të isha teknik cilësie, me kusht që të bëja listën e atyre që nuk bënin normën. Sepse atyre që nuk bënin normën, i nxirrnin paradite e pasdite në punë, ndërsa natën në birucë. Unë i thashë: ‘Po të isha kaq burrë i mirë, s’kisha bërë burg, kisha ndenjur jashtë’. Më futën 30 ditë në birucë për këtë që thashë. Në birucë gjeta një nga këta të grupit të gazetarëve, Robert Vullkani, është në Tiranë ai sot. Gjatë kohës që isha në atë kamp, na sollën një grup inxhinierësh e specialistësh kinez, për të na specializuar për furrat e shkrirjes. Kjo që po u them, është një gjë e panjohur më parë, pra fakti se ne të burgosurit specializoheshin me kinezët. Por në këtë kohë me kinezët, ata patën një fërkim, pasi kur erdhi kryeinxhinieri kinez dhe unë po i dorëzoja kaldajën, ai më pyeti sa vjet isha dënuar. ‘15 vjet burg’, i them. “Për çfarë”, më pyeti ai. ‘Për arratije’, i thashë unë. “Nuk ka mundësi”, më thotë. “Ne në Kinë i transferojmë nga njëra provincë në tjetrën ata që tentojnë të arratisen”. Ndërkohë shkon kryeinxhinieri e i thotë komandanit, Bajram Korvafës, që ishte beterr fare. Ndërhyri komisari, u acarua gjëndja kaq shumë, saqë e hoqën kryeinxhinierin që aty. Habiteshin kinezët kur na pyesin se për çfarë akuzash ishim dënuar.

Nga ai kamp, ku u çuan më pas?

Prej aty më çuan në Laç ku ndërtohej Uzina e Superfosfatit me komandant Hazbi Lamçen nga Mallakastra, pastaj në Fushë-Krujë ku ndërtohej Fabrika e Çimentos, më pas në Elbasan, e më vonë në Pishë-Poro të Vlorës. Atje na futën në kënetë, kishim komandant Sulejman Manokun, ish-Kryetar i Degës së Punëve të Brendëshme të Peshkopisë. Kur mori vesh që isha shoku i Isa Menës, më thërret në zyrë, e më thotë: “Mos ishte politikan Isa Mena”? Unë i’a ktheva: ‘mos e di veten politikan ti, se je komandant kampi’?! Të nesërmen ai mblodhi kampin për të më demaskuar si “armik i popullit”, ku një dibran i lidhur me këtë, spiun i ekspozuar, na tha ne bashkëvuajtëseve: “Po të ndodhë që të na sulmojë imperializmi amerikan dhe revizionizmi sovjetik, pa shkelur mbi trupat tuaj, nuk shkoj të luftoj”. Pas asaj mbledhje ai më komunikoj se do të më “qëronte” prej aty dhe e mbajti fjalën.

Ku ju çuan?

Të shtatën ditë, me makinë më çojnë në Spaç të Mirditës, në nëntokë, ku kam punuar 4 vjet, edhe pse isha me raport doktori. Nga Spaçi më çojnë në Ballsh, ku më pas u lirova dhe shkova në shtëpi, të cilën nuk e gjeta, se ma kishin prishur.

Po si bëtë, ku u sistemuat?

Fjeta ca kohë të ura e Drinit, kërkova punë dhe më futën në ndërtim në Kalimash. Në këtë kohë, doja të krijoja familje dhe kisha biseduar për t’u fejuar me një vajzë që kishte babanë në burg.

Ishte e vështirë të krijoje familje për një njeri si ju që sapo kishit dalë nga burgu?

Gjë më të vështirë nuk kam parë në jetë, nuk na linin. Kjo vajza kishte qenë për fat, a mbesa, a kushërira e Azem Kërxhaliut, Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Kukësit, dhe ajo pranoi me të gjitha kushtet. Por edhe te martesa s’na linin, se ndërhynte Dega e Brendëshme. Më thirrën në zyrë e më thanë që nuk duhet të martohesh pa lejen tonë. U thashë që: shqiptarëve, edhe në kohën e turkut, nuk u ndalohej të martoheshin. Ndoshta ty, i thashë, ta ka dhënë Enver Hoxha këtë të drejtë?!

Çfarë bëtë pas atyre pengesave që po u nxirrin për t’u fejuar?

Duke mos pasur rrugëë tjetër, u detyrova dhe i bëra 24 faqe letër Enver Hoxhës për këtë gjë.

Çfarë i shkruat, pra shkurtimisht, çfarë përmbante ajo letër që i dërguat Enver Hoxhës?

Përmbante biografinë time familjare, burgun që kisha bërë, dhe që kërkoja të krijoja një familje. E si ka mundësi që më kërkonin të mos martohesha?!

U erdhi përgjigjie?

Erdhi përgjigjja, isha të motra në fshat, vjen bashkëfshatari im Gani Daci, ish-instruktori i Komitetit të Partisë së Kukësit, të lexonte letrën. Letra ishte personale nga Enver Hoxha, dhe kërkonte të shihej sa të verteta e gënjeshtra kishte. Unë kalova në Krumë, më çuan në sektorin e ndërtimit në brigadë, ku asnjë s’punonte me mua. Bëra nja një javë vetëm, pastaj kalova me brigadën. Unë në suvatim tek person, edhe pse isha specialist i shkallës së lartë, zbatues objektesh. Karpenteria ishte më e vështira, ndaj më caktonin mua, merresha me armaturat i vetëm. Sesi kam shpëtuar i gjallë nuk e di, sepse kjo punë nuk bëhet vetëm, duhet grup.

Si përfundim, a pranoi dikush të martohej me ju?

Aty jo dhe me shumë peripeci më pas munda e kalova në Lushnjë, pasi nuk gjeta derman. Më thotë një ish-i burgosur, mirditor, për një familje të internuar në Rrëshen, nga grupi i Teme Sejkos, bijat e Izet Kalo Osmanit. Shkova dhe rashë dakord për t’u martuar. Por kur po kthehesha për në Kukës, sa u nisa, më tha njëri: “Mos gabo ta marrësh, është e rrezikshme”.

Ku ishte rreziku sipas tyre?

Atë duhet ta thonë ata, sepse mua në Spaç, para se të lirohesha, më erdhi nënkryetari i Degës së Kukësit për të më rekrutuar. Operativ kemi pasur Gjergj Zefin, që sot është gjallë, erdhi e më tha: “Pse nuk na bën lutje që të lirohesh”?! “Pse të lirohem”, i thashë, “Unë s’kam shtëpi”. Ai më tha: “Ke motër”, ndërsa unë i thashë: E kam, por ajo ka shtëpinë e vet. Plus i thashë, kam shumë sëmundje. “Çfar sëmundjesh ke”, më tha. I thashë që: ‘kryesorja është që jam psikopat në gjëndje reaktive’. Ndezi cigaren, doli jashtë e s’u fut më aty.

U bashkuat me familjen Osmani, pra u martuat me një nga vajzat e kësaj familje?

Më pas më lejuan të martohesha dhe fillova punë atje në Rrëshen, por nuk më pranoi rrethi, më çuan në fermë. U detyrova dhe i bëra telegram kryeministrit, Mehmet Shehut, me këto fjalë: “Pse më kaluat në fermë, unë jam specialist ndërtimi”. Nuk zgjati shumë, erdhi përgjigjja nga kryeministri, kalova në ndërtim, por me çonin në sektorët më të largët e më të vështirë, në Kurbnesh, Rreps, etj. Pra nuk më linin në qëndër, ku kishte nevojë.

Ku banuat në Rrëshen?

Në Rrëshen, u futa në një objekt afër ndërmarrjes së ndërtimit, pranë depove të Grumbullimit, në një dhomë ku as qeni nuk jetonte. Një dhomë tjetër e zuri një agronom i fermës. Mua ma hoqën dritën, atij i’a lanë, ndërsa ai vinte një batanije në dritare që të mos e shihja unë që kishte dritë. Më regjistruan për të marrë shtëpi, i shkoi lista kryetarit të lagjes, i vuri vizë emrit tim ai. Ishte i dyti telegram që i bëra Mehmet Shehut, ndaj më dhanë shtëpi. Por puna ishte se gruaja ime Yldyshan Kalo, kur u martuam ishte 40 vjeçe, ndaj në 2-3 raste i vdiqën fëmijët në bark, se nuk më linin ta çoja në Tiranë. I shkova doktorit Mark Lleshi, i thashë si t’ia bëj. “E vetmja mënyrë është të shkosh me raport për psikopatinë, jo për fëmijën”, me tha ai. Ashtu bëmë, mora raport. Të nesërmen, më erdhi në orën 11:00 në shtëpi e më tha se po ta çoja gruan në Tiranë, do e merrja në qafë, sepse nuk di ç’kishte bërë një gabim tjetër. I vdiq gruas në bark fëmija i katërt, ndërsa ajo mbeti me barrë për herë të pestë dhe unë pastaj i çova letër Mehmet Shehut, i cili më dha leje ta çoja në Tiranë, te mjeku Ilir Gjylbegu. Prej atij kam këtë vajzë që kam sot, se edhe këtë nuk do e kisha.

Në periudhën që keni qëndruar në Rëshen, a e keni njohur Musine Kokalarin?

Gruaja ime, Yldyshani, ka jetuar pranë saj, ballë për ballë për 20 vjet. Edhe kur u martova unë, Musineja nuk m’u afrua, sepse nuk më njihte. Kur mora shtëpi në pallat, erdhi një ditë për të marrë qumështin në radhë. Erdhi Musineja, më dha shishen. Para meje në radhë, ishte shefi operativ i Sigurimit. Kur më pa mua pas vetes, ai iku në fund. I thirri ajo, se e njihte. Ajo vetëm qeshi, kaq. Kështu nisi që çdo të diel të vinte të unë. Por ne zakonisht të dielave dilnim në punë, sepse i binte të ishte o ditëlindja e Enverit, o ditëlindja e Stalinit etj. Por kur ishim pushim, vinte e pinte një kafe.

Po vitin e fundit që ajo ndërroi jetë, si e kujtoni?

E kujtoj shumë mirë se kur u sëmur ajo, i thashë unë: Të të çoj në Tiranë? “Jo, më tha, se shkoj vetë”. Bëhet fjalë për vitin 1982 -’83. Musineja jetonte ngjitur me kunatën time, i kishin vënë një invalid në paradhomë, që ta kontrollonte se kush hynte e dilte. Po askush nuk hynte te ajo, përveç meje. Shkoi u vizitua, doli me kancer në gjoks. Gruan time e kam pasur në vitin e fundit të studimeve për Mjekësi kur u internua, ndaj me ato njohuri që kish, ajo i tha të mos e operonte, se sidoqoftë do t’i shtohej prapë plaga. “Shtyje sa ta shtysh”, i tha ime shoqe. Por ajo s’kishte besim te këto punë e shkoi e u operua.

I shkuat në spital?

I shkova na spital bashkë me kunatën, me puthi në dy faqet e nisi të qajë. I thashë a të vij të të marr. “Jo, më tha, se vij vetë”. Kur erdhi në shtëpi, më thirri e më tha: “Kam një fjalë me ty. Do më japësh fjalën e burrave që do më varrosësh”, më tha. I thashë se nuk dihet kujt i bie të varroste shoq-shoqin. “Nëse ti vdes para, do të të varros si motrën time”, i thashë. “E bëjmë me dorëshkrim, më tha, dhe unë i’u përgjigja: po. Shkuam te tavolina për të bërë testamentin. “Këto dorëshkrime do t’i le këtu te ty”, më tha. I thashë merri e mbaji vetë, pse të ma lësh mua këtë punë?! “Do më premtosh”, më tha: “Do vish çdo pasdite deri në orën 9 të darkës te unë”? I thashë: s’ta jap dot fjalën, se punoj 11 orë në ditë. Megjithatë shkoja. Por si rregull, që kur më lindi fëmija, çdo verë e çoja në plazh në Shëngjin bashkë me gruan dhe i lija disa kohë atje.

Keni qenë aty ato ditë kur Musineja ndërroi jetë?

Aty kam qenë, ishte gusht i vitit ’83. I thashë: Musine, nesër do shkoj të marr vajzën dhe gruan në Shëngjin’. Më tha: “Mos shko dhe nesër”. Do shkoj së pasnesër duhet të paraqitet në punë gruaja. ‘Ti ke Myzejenin këtu’, i thashë unë, për kunatën time. Ajo ma ktheu: “Ishalla kur të vish, të më gjesh gjallë…”?! Sa shkova unë, kunatës, Myzejenit i kishte ardhur një telegram nga Elbasani, për t’u nisur atje, se ishte aksidentuar djali i xhaxhait. Musineja vdiq në orën 9 të darkës, ndërsa unë isha në Lezhë. Kthehem në mëngjes, për të kapur autobusët që shkonin në Rrëshen. Më thanë ka vdekur Musineja.

Çfarë bëtë pas kësaj?

Shkova të shtëpia ime fillimisht dhe pastaj u ktheva të shtëpia e saj, por dera ishte me çelës, kishin marrë ato dorëshkrimet ça kishte atje, e kishin mbyllur derën me çelës me urdhër nga kryetari i Këshillit të Lagjes. Shkova i thashë një Agim Harunit, se kush e kishte çelësin. Filani më tha. I shkova atje, më thanë që nuk ma jepnin dot. U thashë atyre që i kisha premtuar se do ta varrosja, e kisha marrë me shkrim atë. U thashë që përgjigjesha për të gjitha, vetëm për të marrë çelesin.

Ua dhanë çelsin?

E mora çelsin, shkova te shtëpia e Musinesë, e nxorëm, e lamë, shkuam të Komunalja dhe donim ta varrosnim ngjitur me nënën e gruas. Por, problemi ishte se asnjë nga Komunalja nuk pranonte të hapte varrin për Musine Kokalarin, as makina nuk vinte madje.

Çfarë bëtë pas kësaj, si vepruat?

Mora një rom për të më ndihmuar për të mbajtur xhenazen. Takova dhëndrin e Beqir Ballukut, Gjergji Gjergon, profesor fiskulture, i internuar edhe ai, dhe bashkë me një kosovar që e quanin Ymer, hapëm varrin.

Me çfarë automjeti e dërguat në varreza?

Kufomën e transportuam me makinën e zhavorrit nga ato vetëshkarkueset. Gjithë lagjia është ngritur e na ka parë me një urrejtje të jashtëzakonshme?! E pse, sepse po varrosnim një të vdekur?! Për më tepër, se mua asgjë nuk më lidhte me Musine Kokalarin, as politika, as ana ekonomike e shoqërore, vetëm se jetonim aty. Vetëm unë me gruan, kunatën dhe fëmijën tonë, bashkë me Gjergjin e kosovarin, e kemi varrosur atë dhe kemi ngrënë drekën te varri i saj.

A morrët vesh gjë, a kishte lënë ndonjë amanet, apo porosi Musineja, para se të ndërronte jetë?

Musineja, pak para se të vdiste, i kishte thënë kunatës time, Myzejenit, që ajo që të merrte në telefon Platon Kokalarin, djalin e xhaxhait të saj.

A erdhi ai?

Ai erdhi pas 2-3 ditësh, i dhamë gjithë materialet e Musine Kokalarit, me shkrimin tim. Fotografitë, dokumentet e pensionit, letërnjoftimin, librat e kohës së Enverit, edhe të nënvijëzuara, i kam të gjitha unë sot. E vërteta kjo ka qenë dhe të gjitha ato që thonë, jo i ka pasur duart të lidhura me tela, etj., janë të gjitha sajesa. /Memorie.al

 

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Si mund ta padisë Gjermania Asadin për përdorim armësh kimike?

Drejtësia gjermane po shqyrton mundësinë e ngritjes së një padie për sulmet me gaz helmues në Siri. Deutsche Welle dhe "Der Spiegel" biseduan me...

Rita Ora uron ditën e flamurit në gjuhën shqipe dhe me foto provokuese

Rita Ora, këngëtarja me famë botërore asnjëherë nuk harron origjinën e saj. Ajo ka uruar Ditën e Flamurit me disa foto shumë provokuese, ku shihet...

Misteri shumëvjeçar: Ku ndodhet deklarata origjinale e pavarësisë së Shqipërisë

Deklarata origjinale e Pavarësisë së Shqipërisë, e firmosur më 28 nëntor 1912 në Vlorë nga delegatët e të gjitha krahinave të Shqipërisë etnike, nuk...

Nuk ka llogari bankare, liderja e Hong Kongut i mban paratë në shtëpi

Shefja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, ka thënë në një intervistë televizive se ajo duhet të ruajë “grumbuj parash” në shtëpi, sepse nuk...

Video/ Sulmuesi shqiptar shënon në fund, i jep 1 pikë skuadrës turke

Sulmuesi, Jetmir Topalli ka shënuar gol në minutën e 95’ në sfidën e Superligës turke, të zhvilluar midis Gazientep dhe Jeni Malatjaspor. 22-vjeçari nga Kosova...