Në njoftimin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë thuhej se situata në Spitalin infektiv paraqitet serioze, ku ka rëndim të gjendjes shëndetësore të pacientëve në terapi intensive dhe është rritur numri i pacientëve të intubuar.
Aktualisht janë të shtruar 83 pacientë në spital. 10 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 397 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 68 raste pozitive.
Lidhur me shtimin e rasteve, mjeku Laidon Shapo ka thënë dje në “Tempora” në RTV Ora, se sipas llogaritjeve, priten shumë humbje jete deri në fund të shtatorit.
Mjeku tha se me llogaritë e tij, deri në shtator pritet që të ketë diku te 270-350 vdekje. Sipas tij, gjërat mund të përshkallëzohen në të ardhmen, me ritmet që po ecim në raport me pandeminë.
“Me të dhënat e momentit, llogaris që të kemi në fund të shtatorit diku te 270-350 vdekje minimalisht. Nuk është çudi që gjërat të përshkallëzohen. Teste nuk kemi, nuk kemi as popullatën që nuk vendos maska, por t’i shikon se edhe në mbledhje qeveritare nuk vendosen maska”.