Pandemia/Komisioni Evropian shpall kufizimet për festën e Krishtlindjes

Krishtlindjet, si rrallë herë do të ‘festohen’ në një formë tjetër. Grumbullimet janë të ndaluara, e po kështu shumë shtete janë duke përmbyllur izolimin e dytë. Premtimi për të festuar të gjithë bashkë, duket se nuk do të mbahet këtë vit. Madje Komisioni Evropian ka shpallur kufizimet për festën e Krishtlindjes.

Pritet që nesër, Komisioni Evropian të publikojë udhëzimet e fundit, me qëllim harmonizimin e masave mes vendeve dhe evitimit të valës së tretë të pandemisë. Në strategjinë e titulluar “Qëndroni të sigurtë”, ka rekomandime për qeveritë se si duhet menaxhuar festa e Krishtlindjes dhe e ndërrimit të viteve, në një situatë aspak të zakontë.

Me afrimin e festës së Krishtlindjeve, qeveritë pritet që të marrin vendime të ashpra. OBSH ka thënë më herët se një Krishtlindje në grup të vogël, pa takime të mëdha familjare, është padyshim mundësia më e mirë në këto kohë pandemie, për pjesën më të madhe të vendeve. Në përgjigje edhe të shqetësimit të ngritur nga krerët e qeverisë italiane, gjermane dhe franceze, sa u përket funksionit të resorteve të skive, sipas Brukselit pushimet dimërore përfaqësojnë rrezik dhe mund të transformohen në burimin e një vale të tretë të virusit.

Komisioni do të kërkojë forcimin e masave kufizuese, për të evituar tubimet në ambiente të mbyllura dhe bashkimet familjare në grupe të mëdha. BE rekomandon ndalimin e eventeve me shumë njerëz dhe kufizimin e numrit të personave në një vend dhe përdorimin e detyrueshëm të maskës.

Komisioni do të kërkojë vendosjen e shtetrrethimit gjatë natës, për të evituar festimet në orët e vona, ndërsa për ceremonitë fetare mund të kërkohet të anulohen ose të mbahen online. Rekomandimet e BE, vijnë edhe pas festimeve të fundit të Festës së Falënderimeve në SHBA, ku qytetarët pavarësisht paralajmërimeve të shumta nga institucionet vendase, nuk ruajtën masat.

Lexo edhe :   Koronavirusi: 2 viktima në 24 orët e fundit, Tirana vetëm 8 raste pozitive

Krishtlindja (“Kërshëndellat” apo shkurt “Kshnellat” ndër besimtarët katolikë) është një festë fetare Krishtere. Të krishterët e festojnë çdo vit më 25 dhjetor ditëlindjen e Jezus Krishtit; në kishat e Lindjes festohet më 7 janar, për shkak të kalendarit Julian. Pas Pashkëve është festa më e rëndësishme për të krishterët.

Sot dita e Krishtlindjes kremtohet me shfaqjen e skenës së lindjes së Krishtit, pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe kartolinave, familjen e bashkuar, dhe ardhjen e Shën Nikollës apo Plakut të Vitit të Ri në prag të Krishtlindjes apo mëngjesin e Krishtlindjes. Krishtlindja është festa në të cilën të krishterët dëshirojnë më shumë se kurrë paqe e dashuri në botë.