Irani po ndërmerr masa të forta ndaj koronavirusit, madje duke izoluar njerëzit. Shefi i Ushtrisë, Mohammad Bagheri njoftoi se Forcat e Armatosura së bashku me policinë, kanë marrë urdhra për të zbrazur rrugët.
Numri i të prekurve po njeh rritje nga ora në orë. E ndërsa autoritetet iraniane kanë krijuar varre të përbashkëta, për të varrosur viktimat e infektuar me koronavirus. Lajmi është përcjellë nga “Washington Post”, ku publikoi imazhe nga sateliti, teksa dallohet varreza pranë Qom, 80 km pranë Teheranit. Ky qytet ka qenë më i prekuri dhe vatra kryesore e shpërthimit të epidemisë në vend.
Gazeta amerikane shkruan se në tetor, varreza dukej e zbrazur, ndërsa tani është mbushur me rreth 250 trupa të pajetë. Sipas “WP”, që citon analizat e disa ekspertëve, bëhet fjalë për një hapësirë rreth 90 metra, sa dy fusha futbolli.
“Mbi 5 mijë persona kanë vdekur nga koronavirusi në të gjithë botën. Kjo është një shifër tragjike”. Kështu e konsideroi situatën me epideminë shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Sipas OBSH-së, Europa tashmë është shndërruar në vatrën e re të pandemisë së koronavirusit.