Pamje spektakolare nga Islanda, vullkani riaktivizohet pas 800 vitesh (Video)

Një vullkan shpërtheu pranë kryeqytetit të Islandës, Reykjavik ditën e premte, duke çuar llavën lart në qiellin e natës pas mijëra tërmeteve të vogla të ndodhura javët e fundit.

Shpërthimi ndodhi afër Fagradalsfjall, një mal në Gadishullin Reykjanes, rreth 30 km në jugperëndim të kryeqytetit.

Rreth katër orë pas shpërthimit fillestar e para në gadishull që nga shekulli i 12-të, llava mbuloi rreth një kilometër katror ose gati 200 fusha futbolli, shkruan agjencia e lajmeve, Reuters.

Shpërthimi nuk paraqiste rrezik të menjëhershëm për njerëzit në Grindavik ose për infrastrukturën, sipas Zyrës Islandeze të Meteorologjisë (IMO), e cila e klasifikoi shpërthimin si të vogël.

Një çarje prej 500 deri në 750 metra e gjatë u hap në vendin e shpërthimit, duke hedhur burime lave deri në 100 metra  të larta, tha Bjarki Friis i zyrës meteorologjike.

Ndryshe nga shpërthimi në 2010 i vullkanit Eyjafjallajökull, i cili ndaloi afërsisht 900,000 fluturime dhe detyroi qindra Islandezë nga shtëpitë e tyre, ky shpërthim nuk pritet të hedhë shumë hirit ose tymit në atmosferë.

E vendosur midis pllakave tektonike Euroaziatike dhe Amerikës së Veriut, ndër më të mëdhatë në planet, Islanda është një vend i nxehtë sizmik dhe vullkanik ndërsa të dy pllakat lëvizin në drejtime të kundërta.