Paketa ‘anti-shpifje’/ Rama: E dakordësuam me OSBE-në, nesër e miratojmë

Ndonëse komuniteti ndërkombëtar ka ngritur shqetësimin për paktën “anti-shpifje” iniciuar nga qeveria kundër portaleve në Shqipëri, qeveria ka vendosur ta kalojë nesër në seancë plenare.

Është vetë kryeministri Rama i cili njofton me anë të dy postimeve në rrjetet sociale, ku citon se paketa ‘anti-shpifje’ do hyjë nesër për miratim në seancë, pas një pune të përbashkët thuajse një-vjeçare me OSBE, e i dakordësuar 100% me ekspertët e zyrës së Vienës. Po kështu Rama ka shprehur keqardhje për ata që lirinë e shprehjes e përdorin për t’u ankuar për mungesën e lirisë, e për ata që nxjerrin deklarata që s’kanë lidhje me ligjin e ri.

“Projekti do të hyjë nesër për miratim në seancë pas një pune të përbashkët thuajse njëvjeçare me OSBE e i dakordësuar 100% me ekspertët e zyrës së Vienës nën drejtimin e @harlemdesir.  I falenderoj për kontributin e çmuar dhe angazhimin në vazhdim për aktet nënligjore #Antishpifje.

Keqardhje për ata që lirinë e shprehjes e përdorin për t’u ankuar për mungesën e lirisë;për ata që nxjerrin deklarata pa lidhje fare me ligjin e ri; për ata që çirren për diktat imagjinar mbi mediat dhe për të gjithë bashkë që as nuk e kanë lexuar tekstin http://parlament.al/Neës/Index/9800″.