Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka reaguar sërish sot në lidhje me inceneratorin e Tiranës, ku ka sjellë pamje të reja se si groposen mbetjet, ku tha se taksat e shqiptarëve vidhen dhe mbeturinat nuk digjen.
Ajo i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të hapë dyert për inceneratorin e Tiranës dhe të bëjë transparent për qytetarët atë çka ndodh. Më tej Kryemadhi i bën thirrje kreut të SPAK që të shikojë me vëmendjen dosjen për inceneratorët dhe jo sms-të e Ramës.
Kryemadhi: Pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë publikë është bërë normalitet i rrezikshëm në Shqipëri. Kjo ka bërë që të rritet edhe arroganca e qeveritarëve tanë të cilët bëjnë dhe intimidojnë mediet kombëtare që të qëndrojnë larg së vërtetës. Kemi parë këto ditë nga regjimi intimidimin edhe ndaj faqeve satirike në Tiranë. Në 17 janar 2023 i kam treguar më zë dhe figurë sesi vidhen paratë e qytetarëve përmes inceneratorit të Tiranës, ku mbetjet nuk trajtohen, as nuk digjen, por groposen primitivisht. Ndërkohë nga taksat e qytetarëve inceneratori iu merr 29 euro për ton, për gjasme shërbimin. Drini i së vërtetës që fikmoi për 180 ditë u tregoi shqiptarëve se çfarë ndodh në Tiranë. Pagesat e Erion Veliajt për inceneratorët vazhdojnë.
Në Sharrë mbetjet nuk diferencohen, as nuk trajtohen dhe lëre më të digjen për të prodhuar energji. Droni i së vërtetës u ngrit sërish ditën e djeshme, dhe iu ftoj që të shikoni pamjet ekskluzive të trajtimit të mbetjeve që ndodh në inceneratorin e Tiranës. Në këto 75 ditë inceneratori i Tiranës ka marrë 2 milionë e gjysmë euro. Djegia e mbetjeve nuk ka ndodhur, por ato para kthehen në mënyrë tjetër te Veliaj që i bën këto pagesa dhe qytetarëve të tjerë.
I kërkoj Ramës sa humb kohë për para me izraelitët duke paguar për lajme të rreme e duke blerë sekonda për të hedhur vrerë në TCH kundër meje, të bëhet kurajoz e të hapë dyert e inceneratori dhe t’u tregojë shqiptarëve për krenaritë e veta. Pse fshihet e s’bëhet transparent për çfarë ndodh në inceneratorin e Tiranës. Pamjet me dron të inceneratorëve i 17 janar 2023 kanë dhe organet e drejtësisë shqiptare. Kisha një kërkesë për kreun e SPAK: të shikojë me vëmendje dhe në mënyrë të plotë dosjen, nisur nga faktet dhe jo nga sms e Ramës. Faktet do të vijojnë të buçasin fort për inceneratorët.