E martë, 19 Janar, 2021
-4 C
Tirana

Pacientët nga rrethet e paguajnë shtrenjtë betejën familjare me Covid-19

Dritani, 40 vjeç nga qyteti verior i Kukësit, qëndroi gjatë pas kangjellave të spitalit “Shefqet Ndroqi” më 14 dhjetor, në pritje të një lajmi për shëndetin e babait të tij –pacient në gjendje të rëndë nga virusi SARS-CoV-2.

I ati 72-vjeçar ishte shtruar prej katër ditësh në një prej pavioneve të spitalit COVID-2, por i biri nuk kishte ende asnjë informacion nga mjekët.

Shëndeti i babait është burimi më i madh i shqetësimit për 40-vjeçarin nga Kukësi, por jo i vetmi. Me dy familjarë të tjerë të infektuar në shtëpi dhe me shpenzimet e paparashikuara të strehimit në një hotel në Tiranë së bashku me të vëllanë, Dritani llogarit ta paguajë shtrenjtë betejën e familjes së tij me COVID-19.

“Ilaçet kushtojnë shtrenjtë për të sëmurët që kam në shtëpi, ndërkohë që për serumet paguajmë privatisht,” tha Dritani. “Nëse infermierja kërkon 10 mijë lekë, unë do t’i jap 20. Do harxhoj deri në qindarkën e fundit që të bëhen mirë familjarët e mi,“ shtoi ai.

Prej fillimit zyrtar të pandemisë në mars 2020, autoritetet shëndetësore në Ballkan ngritën në këmbë sistemin e spitaleve rajonale për kurimin e pacientëve të infektuar me COVID-19, por Shqipëria ndoqi një strategji tjetër.

Shërbimi u centralizua vetëm në spitalet e dedikuara të COVID-it në Tiranë, ndërkohë që spitalet rajonale u lanë jashtë planit të menaxhimit të pandemisë dhe në periferi të investimeve buxhetore.

Një raport i publikuar nga shoqata “Together For Life” me mbështetjen e fondacionit Westminster për Demokraci, tregon se gjysma e fondeve spitalore për përballimin e pandemisë shkoi në favor të pesë spitaleve në Tiranë në periudhën janar-shtator 2019.

Sipas analizës së të dhënave të siguruara nga pagesat e Thesarit, dy spitale në Elbasan kanë marrë rreth 6% të fondeve totale, të ndjekura nga dy spitale në Vlorë me 5 % të fondeve. Spitalet rajonale të Korçës, Fierit dhe Shkodrës kanë marrë gati 4% të fondeve secili.

Centralizimi i betejës së COVID-19 në Tiranë e kufizoi aksesin në kujdesi shëndetësor për mijëra pacientë nga rrethet si dhe rriti kostot direkte dhe indirekte për familjarët e tyre.

Kosto të shumëfishta

Që prej shpërthimit të pandemisë në muajin mars, Shqipëria shënoi 63 971 raste pozitive dhe 1247 viktima. Numri më i lartë i të infektuarve është shënuar në Tiranë, e ndjekur nga Fieri, Korça, Vlora dhe Durrësi.

Të dhënat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë gjithashtu se pas Tiranës, vdekshmëria është më e lartë në qytetet e Durrësit, Elbasanit dhe Fierit.

Nëntë muaj pas shpërthimit të pandemisë, Ministria e Shëndetësisë deklaroi se spitalet rajonale mund të bëheshin pjesë e strategjisë në betejën kundër COVID-19, nëse ezauroheshin kapacitetet në Tiranë.

Spitali i Elbasanit “Xhaferr Kongoli” ishte i pari, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, që nisi përgatitjet për të hapur pavionin COVID me 80 shtretër të parashikuar gjithsej. Pjesë e të njëjtit skenar është hapja e spitaleve rajonale edhe në Durrës, Korçë, Shkodër dhe Vlorë, të cilat ndajnë së bashku rreth 600 shtretër gjithsej.

Megjithatë, mungesa e mjekëve specialistë duket se është pengesa kryesore. Në spitalin rajonal të Elbasanit ka vetëm dy mjekë reaminatorë, të cilët përveç fluksit të kirurgjive të zakonshme, do të duhet të përballonin edhe fluskin e të sëmurëve me COVID-19.

Lexo edhe :   Covid-19/ Kina ndërton spitalin me 1,500 shtretër për vetëm 5 ditë (Foto)

Ndërsa hapja e spitaleve rajonale mbetet ende një skenar, me qindra pacientë nga rrethet dhe familjarët e tyre vazhdojnë ta paguajnë me kosto të rënda kurimin në Tiranë.

Një duzinë familjarësh të intervistuar përballë spitaleve COVID-1 dhe COVID-2 gjatë muajve dhjetor dhe janar, pohuan se ndonëse shqetësimi kryesor ishte shëndeti i të afërmve të tyre, kostot financiare të qëndrimit dhe strehimit në Tiranë i kishin zhytur një pjesë të tyre në borxhe.

Më 7 janar, Admir A. nga Kukësi numëronte ditën e dhjetë të qëndrimit në Tiranë, pas shtrimit të nënës së tij në spitalin “Shefqet Ndroqi”. I riu është pjestar i një familjeje me 5 anëtarë, asnjëri prej të cilëve nuk është i punësuar.

Lexo edhe :   Vaksinimi kundër koronavirusit, Italia vendos rregulla të reja

“Në Kukës merremi me punë fshati, bujqësi, por të ardhurat janë të pakëta. Ato pak lekë që kishim, i harxhuam,” tha Admiri. “Tani kemi marrë para borxh për shërimin e mamit. Borxh do marrim derisa ajo të bëhet mirë,” shtoi ai.

Në të njëjtën situatë është edhe Fadili nga Elbasani, i cili qëndron prej katër ditësh në oborrin e spitalit “Shefqet Ndroqi”, ku është e shtruar nëna e tij. Gjatë mbrëmjeve, ai qëndron në një hotel në afërsi të spitalit për 1 mijë lekë natën.

Fadili tregon se e mbajti nënën e tij në spitalin e Elbasanit për rreth një orë, ku i bënë edhe disa vizita. Por mjekët vendosën që ta nisnin për në Tiranë, ndërsa u detyruan të prisnin derisa të gjendej një ambulancë me oksigjen.

“Kam biseduar me doktoreshën dhe më ka thënë që mami do bëhet më mirë . Shpresoj dhe uroj që ajo të bëhet më mirë,” tha ai.

Lulëzimi i hoteleve përballë spitaleve

Pandemia e shkaktuar nga koronavirusi i ri ka vënë në vështirësi pjesën më të madhe të bizneseve në Tiranë, por jo hotelet përreth spitalit COVID-2.

Menaxherët e këtyre hoteleve kanë shënuar një rritje klientele, e përbërë kryesisht nga familjarët në ankth të pacientëve të COVID-19.

Një dhomë në hotelin përballë spitalit COVID-2 në zonën e Saukut kushton 1 mijë lekë në natë. Në hotelet me ngrohje dhe me kushte më të mira, kostoja për një natë qëndrimi shkon dyfish.

“Një familjar i një pacienti nga Dibra ka qëndruar këtu dy muaj dhe vetëm fjetja i ka shkuar 600 mijë lekë të vjetra, pa llogaritur të ngrënit,” tha recepsionisti i njërit prej hoteleve përballë spitalit.

“Qëndrimi varion nga 7 ditë më e pakëta deri në 15 ditë në rastin më të mirë,” shtoi ai.

Shtrimi në Tiranë dhe kohëzgjatja e kurimit nga COVID-19 sjell një mori peripecish për të afërmit e tyre, të cilët qëndrojnë në grupe të vogla prej 1-3 vetësh dhe ndërrohen me familjarë të tjerë. Ajo shoqërohet me kosto direkte për pagesat e udhëtimit, strehimit apo ushqimit apo kosto indirekte që vijnë nga ndërprerja e punës.

Punonjësit e hoteleve përballë spitalit “Shefqet Ndroqi” thonë se muaji nëntor ka pasur fluksin më të madh të klientëve, ndërsa në fillim të janarit kurba është në rënie.

“Për momentin kemi 6 dhoma të zëna, rreth 10-12 persona që vijnë për të fjetur në hotelin tonë,” përfundon recepsionisti./BIRN/

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Mesi e gjuajti me shpullë, sulmuesi i Bilbaos: Ai u nxeh sepse e bllokova

Sulmuesi i Atletik Bilbaos, Asier Vijalibre do të mbahet më shumë mend për faktin se detyroi Lionel Mesin të ndëshkohej me karton të kuq...

Qeverisje me PS? Duma: Zero shanse, ofendim për sakrificat e demokratëve

Ish-deputetja Grida Duma hodhi poshtë mundësinë e një koalicioni të madh mes PS- së dhe PD-së. E pyetur për thashethemet që qarkullojnë së fundmi për...

Mediu: Të biem dakort me PD-në sa më shpejt të jetë e mundur që të mundim Ramën

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu është shprehur se bisedimet me Partinë Demokratike për arritjen e një marrëveshjeje vijojnë. Në ''Open”, Mediu tha se PR-së...

“Pyetjet i merr nga Basha“/ Gazetarja-Topallit: Merre telefonin shikoje

Gazetarja e ABC, Esiona Konomi dhe kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli, janë përplasur në emisionin ''Log'' në lidhje me bashkëpunimin e tyre...

Akuza për spiunazh, Rusia dëbon dy diplomatë holandezë

Rusia ka dëbuar dy diplomatë holandezë në një veprim reciprok pasi Holanda dëboi dy diplomatë rusë në fund të vitit të kaluar. Ministria e Punëve...