Osteoporoza, shkaqet dhe si mund të shmanget

Osteoporoza konsiderohet si një “epidemi e fshehur” që konsiston në humbjen e densitetit dhe kulitetit kockor në mënyrë progresive, duke ndryshuar strukturën e saj. Për shkak të osteoporozës kockat dobësohen dhe janë më të predispozuara për të kryer fraktura. Fraktuarat mund të ndodhin edhe pa pa ndonjë shkak madhor sepse kocka ka humbur masën e saj dhe është më pak rezistente ndaj faktorëve të jashtëm. Në fakt frakturat e lehta shpesh janë edhe shenja e parë për sëmundjen. Osteoporoza është më e shprehur te femrat, kryesisht pas menopauzës por kjo nuk do të thotë se meshkujt nuk janë të prekur.

Nga se shkaktohet osteoporoza?

Duke qenë se osteoporoza është dobësim i kockës, kjo orienton mjekët se janë disa faktorë që na çojnë në këtë patologji. Osteoporoza mund të jetë primare kur pacienti nuk e di shkakun. Por faktori kryesor është mungesa e hormoneve seksuale si estrogjenët te femrat e cila ndodh pas menopauzës. Po kështu edhe meshkujt janë të rrezikuar kur niveli i hormoneve seksuale, pra testosteronet, janë të ulët. Ndërkaq, një jetë sedentare, me pak aktivitet, mund të jetë shkak për përshpejtimin e kësaj sëmundjeje, pasi kocka ka nevojë për minerale dhe depozitimi i tyre në kockë realizohet me ndihmën e muskujve. Pra aktivizimi i muskujve ushqen kockat me mineralet e nevojshme.

Kush janë më të rrezikuarit?

Të gjithë mund të vuajnë nga osteoporoza por ata që kanë më shumë rrisk për këtë sëmundje, sipas studimeve, janë femrat sidomos ata post-menopauzë. Gjithashtu të rrezikuar janë personat që paraqesin probleme me tiroiden, personat me probleme intestinale, ata që konsumojnë alkool, duhanpiresit, personat që bëjnë një jete sedentare dhe ata që kanë një dietë të varfër me minerale.

Shenjat e e osteoporozës

Osteoporoza ndosh kur sasia e kockës së re që krijohet është më e vogël sesa kocka e vjetër që shkatërrohet, si rezultat kockat bëhen të dobëta dhe të brishta, sa një peshë e vogël apo një stres mund të shkaktojë një frakturë kryesisht të dorës, kofshës apo dhe të shpinës. Shpesh nga një e kollitur apo teshtimë mund të ndodhë frakturë e brinjëve. Zakonisht simptomat e saj nuk janë në fillimet e saj por janë disa shenja që mund të japin një orientim për osteoporozën

  1. dhimbje të shpinës,
  2. humbje peshë me kalimin e kohës,
  3. fraktura që janë shkaktuar më shumë lehtësi.
Lexo edhe :   Çfarë është depresioni i paslindjes

 

Në rast të këtyre shenjave e sidomos ata që kanë histori familjare, ku prindërit janë paraqitur me frakturë të kofshës, duhet të kenë më shumë kujdes.

 

Si diagnostifikohet?

Për të vendosur diagnozën është e nevojshme jo vetëm një ekzaminim klinik por shërben shumë edhe Ro-grafia. Një rëndësi të madhe ka edhe testi DEXA, që mat densitetin kockor. Në bazë të tyre zbulohet masa kockore. Mjekët thonë se parandalimi është i lehtë, ndërkohë që mjekimi është i vështrirë. Mjekimi përfshin trajtimin medikamentoz të cilët kanë efikasitetin e tyre:  terapia hormonale, calcium, vitaminë D.  Por është kontrolli te mjeku ai që përcakton saktësimin.

Po a mund ta parandalojmë?

Heqja e duhanit, pakësimi apo heqja fare e alkoolit, një dietë e pasur me minerale si konsumimi i perimeve janë disa nga rrugët parandaluese për osteoporozën. Duhet theksuar se një rol të rëndësishëm luan aktiviteti fizik që ndihmon në forcimin kockor, sepse muskujt futen në punë dhe ndihmojnë në depozitimin e kalciumit në kockë e si rezultat kemi forcim të kockave. Këto aktivitete përfshijnë ecje, ciklizëm, programe ushtrimesh për forcim muskular si dhe ushtrime me pesha. Për këtë mund të ju ndihmojë shumë një fizioterapist i cili mund të ju hartojë një program ushtrimesh të përshtatshme për ju.

Fakte botërore mbi osteoporozën

Osteoporoza është përgjegjëse për shumicën e frakturave në njerëzit mbi 50 vjeç. Afërsisht 1 në 3 gra dhe 1 në 5 meshkuj mbi moshën 50 vjeç do të pësojnë një thyerje kocke për shkak të osteoporozës. Osteoporoza shkakton më tepër se 8.9 milionë fraktura në vit. Çdo tre sekonda ndodh një frakturë nga osteoporoza. Thyerja e mëparshme e një kocke rrit në 86% rrezikun për një thyerje tjetër të tyre. Urbanizimi dhe plakja e popullsisë konsiderohen si faktorët që kanë çuar në rritje të shpejtë të barrës së sëmundshmërisë prej osteoporozës.