Ekonomi

OSHEE shtyn pagesat nga 3 në 6 muaj, mosmarrëveshje me furnizuesit


               Publikuar në : 16:27 - 25/11/19 B H

OSHEE ka blerë sasi të mëdha energjie në treg të parregulluar, duke hasur vështirësi të theksuara likuiditeti, humbet 2.8 miliardë lekë për 4 muaj dhe ka shtyrë pa vendim të ERE-s pagesat…

Vështirësitë financiare e kanë detyruar Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) të shtyjë nga 90 në 180 ditë pagesat për energjinë e blerë në tregun e derregulluar për mbulimin e humbjeve. Sipas modelit të tregut, OSHEE duhet të dalë në tregun e lirë për të blerë energji elektrike për mbulimin e humbjeve. Thatësira e këtij viti e ka vënë në vështirësi operatorin e shpërndarjes dhe këtë problematikë, OSHEE ka vendosur “ta ndajë” me furnitorët e saj, duke i vendosur dhe ata në vështirësi financiare.

Në një vendim të fundit, Autoriteti i Konkurrencës ka analizuar pozitën monopol të OSHEE dhe ndërveprimin me rregullatorin, ndërkohë që furnizuesit e energjisë janë ankuar për sjelljen e monopolistit të shpërndarjes së energjisë.

Forcimi i lekut ndjek zgjatjen e sezonit turistik

OSHEE SHA kërkoi që pagesa e faturës së blerjes së energjisë elektrike të bëhet nga blerësi brenda 180 ditëve nga dita e fundit e lëvrimit, dhe jo brenda 90 ditëve siç parashikohet në Rregulloren e shitblerjes së energjisë elektrike, miratuar me vendimin e bordit të ERE-s nr.103/2016 për periudhë tranzitore deri në fund të vitit 2019. OSHEE SHA, me shkresën nr.14321 prot., datë 03.07.2019 drejtuar ERE-s, argumenton se ka blerë sasi të mëdha energjie në treg të parregulluar për shkaqe kryesisht të lidhura me situatën ekstreme hidrike, gjë e cila ka çuar ndërmarrjen OSHEE SHA në vështirësi të theksuara likuiditeti.

OSHEE SHA, kërkesën e saj për ndryshimin e kërkuar, e mbështet dhe e argumenton me rritjen e kostove të blerjes së energjisë elektrike të cilat ishin 5.7 miliardë lekë më të larta se ato të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar dhe 6.4 miliardë lekë më të larta se ato të planifikuara, rezultati financiar i 4-mujorit të parë 2019 ishte negativ për – 2.8 miliardë lekë me gjithë uljen e ndjeshme të shpenzimeve në krahasim me ato të planifikuara dhe rritjen e të ardhurave prej 5.2%. Treguesit kryesorë të 4-mujorit të parë të vitit 2019 u paraqitën në mënyrë të detajuar tabelore.

Kosto e lartë e blerjes së energjisë elektrike krijoi vështirësi të madhe likuiditeti në OSHEE SHA gjatë periudhës 4-mujore, të cilat megjithëse u “zbutën” nga lidhja e kontratave me afat pagese 180 ditore, por nuk e kanë shmangur riskun e larë të likuiditetit me të cilën OSHEE SHA po përballet. Parashikimet e motit akoma nuk sigurojnë ndryshime thelbësore në situatën hidrike dhe prodhimi i KESH pritet të jetë konsiderueshëm nën mesataren historike të planifikuar në buxhetin e vitit 2019 me vetëm 2.6 TWh energji të parashikuar të prodhohet.

Autoriteti i Konkurrencës ka konkluduar se gjatë procedurës së shqyrtimit të aplikimit për ndryshimin e kërkuar të afatit të blerjes së energjisë elektrike, nuk janë respektuar afatet sipas parashikimeve të pikës 1, nenit 21 të “Rregullores për organizmin, funksionimin dhe procedurave të ERE-s”. Procedurat e kryera nga ana e OSHEE SHA për blerjen e energjisë duke vendosur në kontratat e prokurimit afatin e pagesës për blerje të energjisë dhe shlyerjen e tyre deri në një afat 180 ditë, përtej afatit 30.09.2019 të miratuar në vendimin nr.97, datë 21.06.2019 nuk kanë marrë miratimin e ERE-s.

Konkurrenca thotë se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka një rol kyç në tregun e energjisë elektrike, i cili ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në sigurinë e shpërndarjes me energji elektrike.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është operatori i vetëm në tregun e shërbimit të shpërndarjes së energjisë elektrike, pra është monopol natyror dhe si i tillë, tarifat e aplikuara prej tij duhet të pasqyrojnë drejt parashikimet ligjore lidhur me afatin e kontratave për çmimin e blerjes së energjisë, bazuar në një kthim të arsyeshëm, një kohëzgjatje të arsyeshme të përcaktuar dhe të miratuar nga ERE./Monitor

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT