Origjina e Covid-19/ Kina thirrje SHBA-ve: OBSH të hetojë edhe në vendin tuaj

Kina i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të ftojnë Organizatën Botërore të Shëndetësisë për të hetuar origjinën e shpërthimit të Covid-19 edhe atje, pasi OBSH-ja përfundoi hetimin në qytetin e Wuhanit.

“Ne dëshirojmë që pala amerikane si Kina, të mbështesë një qëndrim të hapur dhe transparent dhe të jetë në gjendje të ftojë ekspertë e OBSH-së në SHBA, për të kryer kërkime dhe inspektime të gjurmimit të origjinës së virusit,”-ka thënë zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Wang Wenbin.

Disa orë pasi ekipi i OBSH zbuloi gjetjet paraprake për Wuhanin në një konferencë për shtypi, Uashingtoni deklarojnë se dëshiron të shqyrtojë të dhënat e ekipit, i cili arriti në përfundimin se virusi nuk e ka origjinën në një laborator në Wuhan dhe që lakuriqët e natës mbeten një burim i mundshëm, shkruan agjencia e lajmeve, Reuters.

Sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki ka njoftuar se administrata e Biden nuk ishte përfshirë në planifikimin dhe zbatimin e hetimit të OBSH dhe dëshiron të bëjë një rishikim të pavarur të gjetjeve të saj dhe të dhënave themelore.