Bota

“Operacioni i Paimagjinueshëm”: Plani sekret i Britanisë për të pushtuar Rusinë në ’45


               Publikuar në : 15:28 - 06/07/19 S.N

Nga Michael Peck “National Interest”

Në pranverën e vitit 1945, kryeministri britanik Winston Churchill u kërkoi shefave të tij ushtarakë të përgatisnin një plan sekret. Në pamje të pare, nuk kishte asgjë të re. Hiper-energjiku Churchill, kishte gjithmonë ide në kokën e tij, disa të mençura dhe të tjerat të çmendura.

Por ai plan, ishte përtej çdo gjëje normale. Winston Churchill, donte një plan për pushtimin e Bashkimit Sovjetik. Në fillim të vitit 1945, SHBA-ja ishte fokusuar tek mposhtja përfundimtare e Gjermanisë dhe më pas Japonisë. Por Churchill shihte tashmë një hije që po binte mbi Evropë. Çfarë do të ndodhte me Ushtrinë e Kuqe sovjetike, që po pushtonte “zemrën” e kontinentit? Stalini i kishte shkelur tashmë marrëveshjet e mëparshme, sipas të cilave Polonia – arsyeja pse Britania hyri në luftë në vitin 1939 – do të ishte e lirë. Tashmë, vetë qeveria polake ishte e mbushur me përkrahës të Bashkimit Sovjetik, ndërsa luftëtarët e rezistencës polake, kishin përfunduan në burgjet e KGB-së.

Rumania, Hungaria dhe Çekosllovakia, ishin vënë nën kontrollin e Moskës, dhe të kërcënuara ishin  Greqia dhe Turqia. Pas disfatës së pashmangshme të Gjermanisë naziste, forca e madhe ushtarake amerikane në Evropë, do të zhvendosej drejt Paqësorit. Në këto kushte, strategët britanikë shpikën “Operation Unthinkable” (Operacionin e Paimagjinueshëm”, një emërtim i përshtatshëm për atë që do të kishte qenë në fakt Lufta e Tretë Botërore. E çfarë mund të ishte një mision më i paimagjinueshëm për Britaninë – vetë e rrënuar pas 2 luftërave botërore – sesa nisja e një lufte parandaluese për të mposhtur kolosin sovjetik?

Megjithatë, edhe pse Britania po e humbte epitetin e asaj e “Madhe” në vitin 1945, strategët ushtarakë ishin mësuar të hartonin plane ndëshkuese, ndaj vendeve që perceptoheshin se ishin të rrezikshme. Kështu brenda pak javësh, ata e përfunduan planin.

Sipas tij, sulmi mbi Bashkimin Sovjetik do të niste më 1 korrik 1945, për të pasur mundësi që operacionet ushtarake të përfundonin para se të mbërrinte dimri. Britanikët supozonin se inteligjenca sovjetike, do të zbulonte para kohe përgatitjet e aleatëve, dhe kësisoj do ta bënte të pamundur një ofensivë të stilit të Operacionit Barbarosa, të ndërmarrë nga gjermanët në qershorin e vitit 1941.

Prandaj, aleatët do të përballeshin që në fillim me një rezistencë të fortë. Në operacion parashikohej të angazhoheshin ushtritë anglo-amerikane, plus një kontingjent polakësh (edhe kanadezët kishin dijeni dhe ishin gati për planin). Këto forca, do të sulmonin linjat sovjetike që në Gjermani.

Pritej që sovjetikët, të rezistonin në mënyrë të organizuar përgjatë lumenjve Odër dhe Neise, të cilët ishin shndërruar në vijën e re kufitare mes Gjermanisë dhe Polonisë. Ndërkaq një betejë gjigante tankesh, do të zhvillohej si 3 vite më parë në Kursk. Nëse aleatët do të arrinin ta fitonin atë, do të mundnin të përparonin në një distancë prej 250 kilometrash midis Dancigut dhe Breslau, ku do të parandalonin ekspozimin ndaj një sulmi në jug nga forcat sovjetike të vendosura në Çekosllovaki.

Ironikisht, plani kishte shumë ngjashmëri me Operacionin Barbarosa të Adolf Hitlerit, që bazohej tek mposhtja e forcave sovjetike pranë kufirit rus, për të shmangur një fushatë të stërzgjatur në thellësi të territorit gjigant të atij vendi. “Strategët, besonin se nëse mund ta siguronin atë linjë nga Dancigu në Breslau deri në vjeshtën e vitit 1945, kjo mund të ishte e mjaftueshme për ta gjunjëzuar Stalinin”- shkruan historiani Jonathan Walker në librin e tij “Lufta e Tretë Botërore e Churchill”.

Por sikur aleatët të mos e kishin arritur atë synim deri në vjeshtë, dhe Stalini të mos kishte ndryshuar mendje mbi kontrollin e Evropës Lindore, atëherë çfarë do të ndodhte? Me forcat që kishin në dispozicion, komandantët e ushtrive aleate nuk mund të mbanin gjatë vijën e tyre të frontit gjatë dimrit të vitit 1945-1946.

Ata do të detyroheshin ose të tërhiqeshin, ose të avanconin drejt Polonisë Lindore dhe Bashkimit Sovjetik. Dhe kjo e fundit, do të çonte padyshim në një “luftë totale”. Dhe lufta totale kundër Rusisë – disa muaj para hedhjes së bombës së parë bërthamore në Japoni – ishte një rezultat që nuk e dëshironte askush.

Forcat aleate, kishin gati 4 milionë ushtarë në Europë kur u dorëzua Gjermania naziste, shumica e të cilëve ishin amerikanë, që së shpejti do të transferoheshin në Paqësor. Ndërkohë Ushtria e Kuqe kishte thuajse 11 milionë trupa, dhe ndoshta 20.000 tanke dhe armë të lëvizshme. Sigurisht, aleatët mbështeteshin tek të njëjtat avantazhe, që u dhanë atyre mundësi të mposhtnin Gjermaninë naziste. Ata kishin superioritet të madh në det, çka do të thotë se flotat e tyre mund të siguronin mbështetje në Detin Baltik. Forcat ajrore aleate, kishin vetëm gjysmën e avionëve që zotëronin sovjetikët, por ata mund të mbështeteshin në pilotë më të stërvitur, dhe në faktin se sovjetikët vareshin nga Shtetet e Bashkuara për karburantin e avionëve.

Gjithsesi aleatët kishin të paktën 2.500 avionë bombardues të rëndë në Evropë, mes tyre edhe të famshmit B-29. Teksa Luftëtarët gjermane nuk kishte qenë në gjendje t’i ndalonte, as Forca Ajrore sovjetike nuk kishte përvojë në frenimin e tyre. Megjithatë, strategët e gjetën veten në të njëjtin kurth që rrënoi Napoleonin dhe Hitlerin. Si ta bësh Rusinë të dorëzohet, nëse ajo nuk e dëshiron këtë gjë?

Nëse mposhtja e Ushtrisë së Kuqe në territorin gjerman nuk ishte e mjaftueshme, atëherë e vetmja alternativë, ishte të përparohej në lindje, në Poloni dhe pastaj në Rusi. “Strategët po llogarisnin distancat e mëdha, që aleatët do të duhej të përshkonin për të siguruar fitoren”- vëren Walker.

Sa i përket bombës bërthamore, në atë kohë Shtetet e Bashkuara kishin vetëm 2 të tilla, dhe që të dyja i kishin rezervuar për Japoninë. Në vitin 1946, Amerika kishte vetëm 9 bomba. Sado të fuqishme që ishin, ato mund të shkaktonin vetëm një pjesë të dëmeve që pësoi Bashkimi Sovjetik nga pushtimi gjerman, duke mos e penguar që të vazhdonte sërish luftën.

Në funksion të planit të saj, Britania po mendonte të rindërtonte një ushtri gjermane, për të luftuar rusët. Walker shkruan se 10 dizivione gjermane, mund të shfrytëzoheshin për operacione sulmuese. Por për shkak se ngritja e tyre do të kërkonte kohë, dhe nuk do të ishin dot gati më 1 korrik por vetëm në vjeshtë, përdorimi i tyre u vu në pikëpyetje, thekson më tej historiani në librin e tij.

Por SHBA-ja nuk ishte e gatshme t’i bashkohej këtij plani sekret. Roosevelt dhe më pas Truman, menduan se ishte e mundur një bashkëjetesë paqësore me Stalinin. Koha provoi se e kishin gabim, por ata nuk mund ta dinin këtë në pranverën e vitit 1945. Për më tepër, amerikanët duhej të mbyllnin hesapet me japonezët.

Pra, Amerika sapo kishte përfunduar një kryqëzatë në Evropë kundër nazizmit, dhe nuk ishte gati të niste një kryqëzatë të re kundër komunizmit. Në këto kushte, u hoq dorë nga një operacion i guximshëm, me gjasë i përgjakshëm, por që nëse do të kishte sukses, mund t’i kishte dhënë fund 45 vite më herët komunizmit në Evropën Lindore, përfshirë edhe në Shqipëri./ TIRANA TODAY

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT