Delegacioni ndërkombëtar për Jemenin, i themeluar nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka njoftuar se disa persona nga Qeveria e Jemenit dhe koalicionit nën udhëheqjen e Arabisë Saudite mund të kenë kryer krime lufte.
Kjo bëhet e ditur në raportin e komisionit prej tre personash të cilin e themeloi dhjetorin e kaluar Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, Zeyd Raad al-Hussein për të monitoruar shkeljet e të drejtave të njeriut në Jemen.
Në raportin e delegacionit të përbërë nga “ekspertë të njohur ndërkombëtarë dhe rajonal” thuhet se sulmet ajrore të forcave të koalicionit nën udhëheqjen e Arabisë Saudite kanë shkaktuar humbje të drejtpërdrejt të civilëve.
“Në sulmet ajrore janë goditur territore të vendbanimeve, vende të tregjeve, ceremoni të morteve, dasmave, qendra të paraburgimeve, varka të civilëve, madje edhe institucione shëndetësore”, theksohet në raport.
Më tej në raport thuhet se “disa persona nga Qeveria e Jemenit dhe nga forcat e koalicionit të Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe duhet të gjykohen për krime ndërkombëtare”. Gjithashtu potencohet se këta persona mund të kenë kryer krime lufte në Jemen duke shkelur parimet e “diskriminimit”, “proporcionalitetit” dhe “parandalimit”.
Në raport thuhet se sipas të dhënave të organizatave të OKB-së, që nga marsi 2015 e deri më 23 gusht 2018 në luftën e brendshme në Jemen kanë humbur jetën 6.600 civilë ndërsa janë plagosur 10.563 persona të tjerë. Ka shqetësime se shifra e vërtetë mund të jetë edhe më e lartë.
Jemeni është përfshirë nga një konflikt shkatërrues që nga viti 2014, kur rebelët Huthi morën nën kontroll pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana dhe Hudejden, shkruan aa.
Konflikti u përshkallëzua në vitin 2015, kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj arabë nisën një fushatë masive ajrore në Jemen, që synonte rikthimin e territoreve të marra nën kontroll nga lëvizja Huthi.
Dhuna ka shkatërruar infrastrukturën e Jemenit, përfshirë sistemet e tij shëndetësore dhe sanitare, duke bërë që OKB-ja ta përshkruajë situatën si “një nga fatkeqësitë më të mëdha humanitare të kohëve moderne”.