Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Hans Kluge deklaroi se përparimi kundër pandemisë së koronavirusit mbetet “i brishtë” dhe se udhëtimet ndërkombëtare duhet të shmangen.
Megjithatë, ai theksoi faktin se vaksinat e autorizuara funksionojnë kundër varianteve shqetësuese, shkruan The Guardian.
“Tani për tani, përballë një kërcënimi të vazhdueshëm dhe një pasigurie të re, ne duhet të vazhdojmë të tregojmë kujdes dhe të rimendojmë ose të shmangim udhëtimet ndërkombëtare”, tha Kluge.
”I ashtuquajturi variant i Indisë, i cili mund të jetë më i transmetueshëm, tani është identifikuar në të paktën 26 nga 53 vendet në rajonin e OBSH-së në Evropë. Të gjithë variantet e Covid-19 që janë shfaqur deri më tani i përgjigjen vaksinave të miratuara në dispozicion”, deklaroi Kluge gjatë konferencës së tij javore për shtyp.
Deri më tani vetëm 23% e njerëzve në rajon kanë marrë një dozë vaksine, me vetëm 11% që kanë pasur të dyja dozat, tha Kluge, ndërsa paralajmëroi qytetarët të vazhdojnë të tregojnë kujdes.
“Vaksinat mund të jenë një dritë në fund të tunelit, por ne nuk mund të verbohemi nga kjo dritë,” përfundoi ai.