Vlora feston 129 vjetorin e lindjes së Bilbil Vlorës, veprat e të cilit mbeten të pavdekshme ashtu si dhe kontributi i tij ne strukturën e këngës dhe kabasë labe, te cilat fal talentit te jashtëzakonshëm te Bilbilit (dhe muzikanteve te tjerë bashkëkohor) u njohën ne mbare Ballkanin.
Në përvjetorin e tij të 129, është koleksionisti i mirënjohur Niko Kotherja, që ka publikuar një nga perlat e viteve 20-30, të kënduar nga Bilbil Ceno dhe grupi i tij, “O Qemal kur të përzunë”.
Kush është Bilbil Vlora:
Bilbil Ceno apo i njohur si Bilbil Vlora do të mbahet mend gjatë për këngët dhe muzikën që ka luajtur në vitet 20-30. Në të vërtetë ka shumë pak informacion të shkruar për Bilbil Vlorën. Datëlindja e tij është 10 tetor 1889 dhe ka lindur në qytetin e Gjirokastrës. Ndoshta kjo dhe për faktin se në kohën kur ka luajtur muzikë, qyteti i Vlorës ka qenë i zënë me të tjera ngjarje, kryesisht me karakter luftarak, ku dhe ato pak shkrime që publikoheshin në gazetat e kohës, shkruanin për ngjarje e personazhe luftërash.
Shkruhej për Shpalljen e Pavarësisë, Ismail Bej Vlorën, pushtimin italian të Vlorës, Luftën e Vlorës 1920, Avni Rustemin e kryengritjen e 1924, komplotin kundër Mbretit Zog e të tjera si këto. Përballë ngjarjeve e personazheve të tilla, ndoshta askush nuk është kujtuar të shkruajë për atë apo ata që i këndonin qytetit, dasmave, ngjarjeve historike, festave familjare. Nuk ka shkrime të atyre viteve për këtë kategori artistësh. Një nga këta është edhe Bilbil Vlora. Ndoshta në shtëpitë e familjeve të vjetra të Vlorës duhet të ketë foto e dorëshkrime për artistin e sazeve e këngës popullore qytetare vlonjate, të cilat duhet të dalin në dritën e botimit e të bëhen të njohura për publikun e gjerë.
Edhe pse pa shumë informacion për jetën e veprimtarinë e tij, ato pak të dhëna e rreshta të shkruar nga autor e kohë të ndryshme, konfirmojnë faktin se ai me të drejtë mund të konsiderohet “babai” i këngës popullore qytetare vlonjate. Por jo vetëm kaq. Këngët e muzika e Bilbil Vlora janë pa asnjë dyshim baza mbi të cilat u krijua grupi “Trio vlonjate”, e pranuar kjo dhe nga studiues të këngës popullore qytetare vlonjate, por pa dhënë shumë detaje për Bilbil Vlorën. Këngët polifonike të trevës së Vlorës dhe sazet e hershme, ishin baza e këngës popullore qytetare vlonjate.
Qyteti i Vlorës, në fillimet e shekullit të 20 ka pasur muzikantë të talentuar, të cilët gjallëronin sadopak jetën e asaj kohe, dasmat e gëzimet e familjeve vlonjate. Klarinetisti Bilbil Cenko dhe vëllai i tij, violinist Asim Cenko kanë qenë dy nga muzikantët me emër jo vetëm në Vlorë, por edhe në qytete të tjera afër me Vlorën. Ata ishin pjesë e familjes Cenko që ishte një familje e madhe artistësh, të cilët me veglat muzikore që u binin dhe këngët që këndonin, mbushnin monotoninë e viteve 30-40 në qytetin e Vlorës.
Për veprimtarinë dhe namin e madh që gëzonte në atë kohë Bilbil Vlora hedh dritë së fundmi edhe akademiku Vaso Tole, i cili pak ditë më parë, në një status në faqen vet në FB, zgjidh enigmën e emërtimit të një pllake me regjistrime diskografike të viteve ’20 të kryer nga një kompani muzikore amerikane. Akademiku Vaso Tole zgjidh enigmën e emërtimit në diskun me regjistrime diskografike të viteve ’20. Ia kishim borxh Bilbil Vlorës këtë sqarim. Ndër sazet legjendare të viteve 1920-1930 (kohë që përkon edhe me vitet e arta të regjistrimeve diskografike), ishin edhe ato të Riza Nebatit ose Riza Beratit.
Ky ishte Usta i shquar në gërnetë i qytetit të Beratit, prej të cilit u frymëzua skenaristi Vath Koreshi për skalitjen e personazhit të Halit Beratit në filmin Gjeneral Gramafoni. Në regjistrimet diskografike të lëna prej tij, që të gjitha me shumë vlerë, shumica të COLUMBIA-s, shohim që shkruhet Riza Bilbili dhe si të tillë e kanë kuptuar shumica e dashamirësve të kësaj muzike. Në fakt, Bilbili nuk është mbiemër për të, por është emri i një Ustai tjetër e shumë të rëndësishëm të muzikës qytetare me saze.
Ai ishte Bilbil Vlora, ndoshta artisti më i rëndësishëm pas Selim Asllan Leskovikut. Enigma zgjidhet këtu pasi Riza Berati dhe Bilbili (Vlora) kanë punuar së bashku dhe kanë regjistruar edhe disqe. Kjo edhe muzikalisht dallohet qartë pasi gërneta e Bilbil Vlorës s’ka të dytë. Mjafton ta dëgjosh një herë të vetme. Pra kur shkruhet RIZA BYLBYLI janë së bashku Usta Riza Berati dhe Usta Bilbil Vlora: RIZA & BYLBYLI!
Vdekja e Bilbil Vlorës
Sipas familjarëve të Bilbil Vlora, edhe në vitin 1948 kur mjeshtri do të zinte shtratin, i sëmurë dhe në prag të vdekjes, do t’i vinte një ftesë për të marrë pjesë në një dasmë shqiptare në Stamboll së bashku me sazet e tij. Por, Bilbil Vlora nuk e kishte më fuqinë e alegrinë e viteve të tij të bukura, kur me klarinetën e tij shpërndante tinguj të magjishëm e të ngrohtë, duke qarë e cicëruar si zog së bashke me veglën e tij të dashur që i ishte bërë pjesë e trupit.
Telegramin që e ftonte për në Stamboll e mbante fort në dorë si “testamentin” më të bukur për famën e madhe që gëzonte edhe jashtë vendit, përderisa e prisnin me padurim, por ai nuk mund të shkonte për shkak të sëmundjes, duke dhënë shpirt mes njerëzve të familjes e pranë klarinetës së tij. Duke u përcjellë me dashuri nga vlonjatët e atyre viteve, të cilët e donin dhe e kishin mikun e shtëpive të tyre, të gëzimeve, ndaj edhe i thërrisnin Bilbil Vlora, me emrin e qytetit të tyre, si nderimi e titulli më i lartë që jo shumë njerëz, grupe apo vende e kanë pasur këtë emër në historinë e Vlorës.
Mbiemri “Vlora” ishte mbiemër bejlerësh në Vlorë, një nga ata ishte Ismail Bej Vlora, dhe Bilbil Cenko ishte “Bej” në muzikën, këngën e klarinetën e tij, ndaj dhe e kishte merituar ta thërrisnin me emrin e qytetit. Bilbil Cenko ( Vlora ) është nderuar me titullin “Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës” dhe emrin e tij e mban një nga rrugicat e një prej lagjeve të vjetra të Vlorës, lagia “Partizani”, ndërkohë që më shumë dihet të jenë vlerësimet e mirënjohja për mjeshtrin e madh të sazeve e këngës qytetare vlonjate e asaj shqiptare.