Kreu i qeverisë Edi Rama ka debatuar me deputetin e PD-së, Tritan Shehu, për “Ballkanin e Hapur”. Ai tha se kjo nismë do të vazhdojë, do apo nuk do ai, pasi perspektivën e tyre shqiptarët ia kanë besuar PS-së. Gjatë fjalës së tij në Kuvend nuk la pa thumbuar demokratët. Rama i kujtoi deputetit demokrat filmat e kohës së realizimit socialist, duke thënë se nuk është në garë se me kë është Amerika dhe Evropa. Në kundërpërgjigje, Tritan Shehu i kërkoi kryeministrit që të japë dorëheqjen.
Debatet në Parlament
Edi Rama: Zoti Shehu, ju thatë që më dëgjuat me vëmendje. Edhe unë ju dëgjova dhe përgjigjen e kishe të shkruar. Pra ju nuk më dëgjuat zoti Shehu, dhe unë ju dëgjova dhe më vjen keq të them se ju flisni me vete dhe flisni për vete. Duke bërë në fakt atë që keni bërë si parti, duke marrë shqiptarët për budallenj.
Në partinë tuaj flitet për vetë dhe për vete, dhe u thuhet shqiptarëve se flitet për ta. Po jo, është çështja juaj. Zoti Shehu, as në Bruksel, as në Paris dhe SHBA apo Hagë nuk është kundër “Ballkanit të Hapur”. Të gjithë thonë që “Ballkani i Hapur” duhet të jetë gjithëpërfshirës. Pjesëmarrje e tre vendeve është e mirëseardhur. Unë nuk hyj në garë se me kë është Amerika dhe Evropa, sepse kjo është një garë si ato ndeshjet me top lecke si në ato filmat në kohën e realizimit socialist. Të kujtohet zoti Shehu ai filmi kur ai i thoshte “Guri ata do të na rrahin”.
Tregu i përbashkët rajonal i mbron këtë interesa. Doni ju zoti Shehu apo nuk doni ju “Ballkani i Hapur” do të vazhdojë, sepse shqiptarët na kanë besuar ne PS, mbrojtjes së interesave të tyre dhe jo ju.
Tritan Shehu: Ju jeni i vendosur të qëndroni në këtë pozicion të pashpresë, përsa kohë ju jeni kryeministër edhe vendi është i pashpresë. Për ju ka vetëm një zgjidhje, të jepni dorëheqje. Ju keni dështuar me “Ballkanin e Hapur”. Bëjeni atë që bëri Zaevi, ja vlen ta bëni. Unë ju bëj thirrje të hiqni dorë nga projekte të tilla që shikojnë në lindje.