Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka reaguar e shqetësuar pas bërjes publike nga ana e kreut të PD-së, Lulzim Basha, të disa fotove nga një takim i tij në Durrës. Manastirliu teksa shkruan se ndihet e tmerruar nga këto pamje, iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien pre e kësaj papërgjegjshmërie të pajustifikueshme nga Basha.
Ajo kërkon të dijë nga kryedemokrati Basha se si mund të mbledhë aq shumë njerëz, në një kohë kur të gjithë po vuajmë pasojat nga pandemia.
Ministrja Manastirliu paralajmëron më tej se ky numër i madh njerëzish që qëndrojnë ngjitur njëri-tjetrit, mund t’i rrisë numrat përtej parashikimeve më negative.
Statusi
Si ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale jam e tmerruar nga kjo shfaqje ekstreme papërgjegjshmërie, në kushtet e hapjes, kur më shumë se kurrë njerëzit duhet të respektojnë rregullat e mbrojtjes nga COVID-19, sepse ekspozimi është i madh!
Si mund të jepet kjo shfaqje dhe cili lider në botën e sotme jep këtë shembull thjesht për interesin e vet politik?!
Zoti Basha mund t’i thotë të tëra ato që ka për të thënë, pa vënë në rrezik shëndetin e njerëzve në këtë formë ekstreme papërgjegjshmërie. Numrat e rritur janë efekt i parashikuar i hapjes. Por kjo ngjeshje njerëzish për qëllimet e një njeriu mund t’i rrisë numrat përtej parashikimeve më negative dhe kostoja mund të bëhet marramendëse!
U bëj thirrje qytetarëve të mos bien pre e kësaj papërgjegjshmërie të pajustifikueshme dhe zotit Basha të mos i faturojë njerëzve e vendit, koston e papërballueshme të luftës së tij të dëshpëruar për pushtet!