Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, i ftuar në ”A2” ka folur në lidhje me pandeminë e Covid-19 në Shqipëri, e cila në muajin e fundit ka arritur shifrat më të larta në infektime dhe viktima.
I pyetur se cilat janë skenarët e ardhshëm të Komitetit të Ekspertëve, dhe nëse një ndër to do jetë izolimi i vendit, Brataj nuk e ka përjashtuar mundësinë e mbylljes totale, nëse shifrat e Covid-19 marrin përmasa të mëdha. Kreu i Urgjencës Kombëtare tha se ende nuk është marrë një vendim i tillë.
Ai tha se nuk përjashtohet asnjë masë nga skenarët e qeverisë, të cilët do të aplikohen në bazë të rasteve ditore.
“Nuk mund të flasim për afër apo larg, është në bazë të asaj çfarë ndodh. Nga momenti në moment, mund të merret edhe një masë, qoftë edhe drastike. Nuk është marrë vendim, dhe nuk më takon mua ta them diçka të tillë.
Unë jap mendimin tim personal si specialist, ndërsa vendimi është kolegjial dhe ekzekutivi është ai që vendos në bazë të këshillimeve që ka marrë nga ekspertët. Nuk përjashtohet një masë e tillë në kushtet e sotme, në kushtet e pandemisë, po e bën gjithë bota, nuk është se po e bëjmë vetëm ne. Por nuk janë të përjashtuara asnjë nga gjitha masat”, u shpreh Brataj.