Në pritje të vitit akademik, ditën e hënë me mijëra nxënës në të gjithë Shqipërinë, do të nisin shkollën. Mes debateve të shumta, mbi dhënien falas të librave për klasat nga e para në të katërtën e deri tek çmimet e shtrenjtuara të kurikulave. Teksa në rrjete sociale shumë akuzojnë qeverinë se është duke i marr lekët në çmimet e larta të librave nga klasa e pestë dhe sipër, shumë familje janë duke vuajtur për të çuar fëmijët e tyre në shkollë.
Mes sakrificave të shumta, pamundësive ekonomike, atyre iu duhet të gjejnë çdo mundësi për të arsimuar fëmijët. Një qytetare thotë për Tirana Today se e ka shumë të vështirë të çojë fëmijët në shkollë, pasi si ajo edhe bashkëshorti nuk janë në punë. 50-vjeçarja rrëfen mes lotëve dramën që familja e saj po kalon, pasi nuk kanë mundësi ekonomike për të blerë edhe librat e plotë për djalin, i cili hyn në gjimnaz.
“Dje i ka marrë djali librat dhe e pyeta se përse nuk i kishte marr të gjitha. Më tha se janë disa libra të cilët mungojnë dhe se duhet t’i marrim në librari. Çmimet kanë ndryshuar ndjeshëm me vitin e kaluar. Pa librat të cilët mungonin, djali harxhoi dje 60 mijë lekë të vjetra. E unë tani numëroj kusurin dhe shpresoj të na dalin për të blerë edhe ato libra të cilët mungojnë. I thashë që do bëjmë si do bëjmë, por nuk e di ku t’i gjej lekët. Pasi unë, po ashtu edhe burri jemi pa punë. Asistencën ma kanë hequr, pension nuk kam.
Goca futet në vit të parë në shkollë të lartë, pa asnjë gjë të sigurt. Djali hyn në vit të parë në gjimnaz. Jam bërë copë-copë, imagjino jam aq keq saqë as nuk e di se cilat libra i mungojnë djalit. Llogariteni ku kam arritur. Ndjehem e pafuqishme, pse t’i lë fëmijët pa shkollë, si të lë të mbesin ashtu?! Ata mësojnë, goca ka qenë më nota të shkëlqyera. Edhe djali përpiqet shumë, e shihja. Teksa shkonte në shkollë me një çantë të vjetër, të cilën do e përdorë edhe tani në gjimnaz. Nuk kam çfarë të bëj, kam kërkuar punë , por nuk më merr kush. Nuk pyet kush, më beso. Jam në pikë të hallit.” Tirana Today