Cristiano Ronaldo, është një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave. Ai ka fituar 5 herë Topin e Artë. Ndërkohë, edhe pse sot është mbi 34-vjeç, vazhdon të luajë në nivele të larta me Juventusin në Itali, dhe kombëtaren portugeze. Por karriera e tij, mund të kishte përfunduar pa nisur mirë. Në moshën 15-vjeçare, Cristiano ishte pjesë e të rinjve të Sportingut të Lisbonës, kur u diagnostikua me një problem me zemër.
“Zemra e tij, rrihte shpesh jashtë normales, edhe kur ai nuk vraponte. Mjekët përdorën një lloj lazeri. Ai u operua në mëngjes dhe doli po atë pasdite nga spitali”- kujton e ëma Dolores Aveiro.
Ajo shtoi se përpara se të mësonin se çfarë kishte saktësisht, e gjithë familja u shqetësua se mos sëmundja do ta detyronte të hiqte dorë nga futbolli. Por operacioni pati sukses, dhe pas disa ditësh Ronaldo iu rikthye stërvitjes. Aritmia e zemrës tek sportistët, nuk është një simptomë e pazakontë.
Disa futbollistë të rinj kanë pësuar sulme fatale në zemër, si ish-ylli i Manchester Sitit, Mark-Vivien Foe, Antonio Puerta i Seviljes dhe Miklos Feher i Benfikës. Ish-ylli i kombëtare franceze, Lilian Thuram, u tërhoq para kohe nga futbolli për shkak të një problemi në zemër. Problemet me zemrën, imponuan tërheqjen e parakohshme nga futbolli edhe të ish-kapitenit të kombëtares sonë Lorik Cana.
Mesfushori gjerman, Sami Khedira, iu nënshtrua në shkurt të këtij viti një operacioni në zemër, teksa u rikthye në fushë pas disa javësh. Nuk ishte aq fatlum, kapiteni i Fiorentinës, Davide Astori, që ndërroi jetë në marsin e 2018-ës, në moshën 31-vjeçare, pas problemeve me zemrën./ TIRANA TODAY